Sahihu i Buhariut — Hadithi 1053

10. Nënkapitulli: Gratë falin namazin e eklipsit së bashku me burrat

1053. Nga: Esma bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku nga Hisham ibn Urve, e ky nga bashkëshortja e tij Fatime bint Mundhiri se Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Shkova tek Aishja, gruaja e Pejgamberit ﷺ, kur u bë eklipsi i Diellit, e në atë rast pashë se njerëzit ishin ngritur për t'u falur. Edhe ajo ishte ngritur për t'u falur, andaj e pyeta:

- Çfarë kanë njerëzit?

Ajo bëri me dorë nga qielli (se Dielli ishte zënë) dhe tha:

- Subhanallah!

- Diçka e jashtëzakonshme? - e pyeta.

Ajo pohoi (me kokë). Pas kësaj, fillova të falem, derisa gati më ra të fikët, andaj e laga fytyrën me ujë. Pas namazit, Pejgamberi ﷺ u ngrit dhe, pasi e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun ﷻ, tha:

- “Çdo gjë që s'kam pasur rastin ta shoh ndonjëherë më parë, më është shfaqur tani, në këtë vend, madje edhe Xheneti dhe Zjarri. Më është shpallur se ju të gjithë do të sprovoheni në varret tuaja me sprova, të përafërta, - ose ka thënë: sikurse, - sprova e mesihut Dexhall, - jam në mëdyshje se cilën fjalë e ka përmendur Esma. - Secilit prej jush do t'i thuhet: “Çfarë di për këtë njeri (Pejgamberin ﷺ)?” Besimtari, - ose ka thënë: i binduri, - jam në mëdyshje se cilën fjalë e ka përmendur Esma, - do të thotë: “Ai është Muhamedi, i Dërguari i Allahut, na ka ardhur me argumente të qarta dhe udhëzim, e ne i jemi përgjigjur, kemi besuar dhe e kemi pasuar.” I thuhet: “Fli i qetë, e dimë mirë se ke qenë i bindur në këtë.” Ndërkaq, hipokriti, - ose ka thënë: dyshuesi, - jam në mëdyshje se cilën fjalë e ka përmendur Esma, - thotë: “Nuk di, i dëgjoja njerëzit tek thoshin diçka, andaj edhe unë thosha ashtu.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1053

Hadithe të ngjashme: Shiko (11)

Fjalë të panjohura?