Sahihu i Buhariut — Hadithi 1077

10. Nënkapitulli: Mendimi i atyre që thonë se Allahu nuk e ka bërë detyrim sexhden e leximit

Imran ibn Husajni është pyetur: "Ç'mendon për dikënd që e dëgjon ajetin e sexhdes kalimthi dhe pa i kushtuar vëmendjen e kujdesin e duhur, duke mos synuar dëgjimin e tij?" Ai u përgjigj: "E çka nëse e ka synuar dëgjimin e tij? duke aluduar në mos detyrimin e personit për të rënë në sexhde." Selmani ka thënë: "Nuk kam dalë për këtë qëllim (pra, nuk e kam synuar dëgjimin e Kuranit)." Othmani ka thënë: "Sexhdja e leximit është obligim për atë që e synon dëgjimin e tij." Zuhriu ka thënë: "Nuk bie në sexhde përveçse duke qenë me abdes. Kur të biesh në sexhde, duke qenë vendas, drejtoju kibles. E, nëse je i hipur (në mjet udhëtimi dhe merr udhë), nuk prish punë të bësh sexhde në çfarëdo drejtimi që është i kthyer mjeti i udhëtimit. Saib ibn Jezidi nuk binte në sexhde kur i dëgjonte rrëfyesit ta lexonin ajetin e sexhdes."

1077. Nga: Omer ibn Hatabi

Ibrahim ibn Musai na ka thënë: Na ka rrëfyer Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Ebu Bekër ibn Ebu Mulejke, e ky nga Othman ibn Abdurrahman Tejmiu, e ky nga Rebia ibn Abdullah Tejmiu, - Ebu Bekër (ibn Ebu Mulejke) ka thënë: Rebia ka qenë prej njerëzve më të mirë, - (Ibn Xhurejxhi ka thënë: Më ka rrëfyer Ebu Bekri e ky nga Othmani) se Rebia tregon se, ditën e xhuma, Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) lexoi në minber suren Nahl. Kur arriti tek ajeti i sexhdes, zbriti prej minberit dhe ra në sexhde, e bashkë me të edhe të pranishmit. Pastaj, në xhumanë vijuese, sërish e lexoi suren Nahl dhe, kur arriti tek ajeti i sexhdes, u tha njerëzve: “O ju njerëz! Kur lexohet ajeti i sexhdes, ai që bie në sexhde, ia ka qëlluar (së vërtetës), kurse ai që nuk bie, nuk ka bërë mëkat.”

Në këtë rast Omeri nuk e bëri sexhden.

(Ibn Xhurejxhi ka thënë: “Më ka rrëfyer Ebu Bekri, e ky nga) Nafiu shton nga Ibn Omeri se: “Allahu nuk na ka detyruar ta bëjmë sexhden, përveç nëse dëshirojmë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1077

Fjalë të panjohura?