Sahihu i Buhariut — Hadithi 1141
11. Nënkapitulli: Zgjimi i Pejgamberit ﷺ nga gjumi për namaz nate dhe ç'është shfuqizuar nga namazi i natës
Allahu ﷻ thotë: “O ti i mbështjellë (o Muhamed)! Falu gjatë natës, përveç një pjese të vogël të saj, (Falu) gjysmën e saj ose diç më pak se gjysmën, ose shto edhe pak dhe Kuranin lexoje me vëmendje! Ne do të të shpallim ty fjalë të rëndë. E s’ka dyshim se adhurimi i natës është fuqizues dhe fjalë më e qëndrueshme. Meqë ti, me të vërtetë, ditën je shumë i angazhuar.”. (Muzemil, 1-7) Allahu ﷻ thotë: “... Ai e di se ju nuk mund ta llogarisni atë saktësisht, prandaj ju fal juve. Kështu që lexoni Kuran aq sa mundeni! Ai e di se disa prej jush do të jenë të sëmurë, disa do të udhëtojnë nëpër botë, duke kërkuar mirësitë e Tij (për jetesë) dhe disa të tjerë do të jenë duke luftuar në rrugën e Tij, prandaj lexoni sa të keni mundësi nga Kurani! Faleni namazin, jepeni zekatin dhe jepini Allahut një hua të mirë (që Ai t’jua kthejë shumëfish). Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer…” (Muzemil, 20)
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: "Ibn Abasi ka thënë: “Fjala “نَشَأَ” (neshe'e) e ka kuptimin: “u ngrit (për t'u falur)” në gjuhën abisinase. (d.m.th : shprehja: إِنَّ نَاشِئَةَ اللَّيْلِ (ina nashietel lejli) sipas kësaj e ka kuptimin: "Namazi i natës, adhurimi i natës) Ndërsa, fjala “وِطَاءً (vetae) (sipas një leximi tjetër të ajetit)” e ka kuptimin: është në përputhje (përshtatshmëri, pajtueshmëri) dhe harmoni me leximin e Kuranin. (Pra kuptimi i ajetit sipas këtij leximi është): Namazi i natës më tepër i bashkon dhe e lidh zemrën, gjuhën dhe syrin (dhe mundëson më tepër përqendrim në leximin e Kuranit). Fjala ﴾لِيُوَاطِئُوا﴿ (lijuvatiu) (Teube 37) e ka kuptimin: për të përputhur."
1141. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Më ka treguar Muhamed ibn Xhaferi, e ky nga Humejdi se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ, gjatë ndonjë muaji, hante (nuk agjëronte), saqë mendonim se nuk do të agjëronte asnjë ditë të tij dhe agjëronte, saqë mendonim se nuk do të hante asnjë ditë të tij. Kur doje ta shihje duke u falur gjatë natës, e gjeje duke u falur, e, kur doje ta shihje fjetur, e gjeje duke fjetur.”
Transmetimin e Muhamed ibn Xhaferit nga Humejdi e ka fuqizuar Sulejmani dhe Ebu Halid Ahmeri nga Humejdi.