Sahihu i Buhariut — Hadithi 1186
36. Nënkapitulli: Falja e namazeve nafile me xhemat
Këtë e kanë përmendur Enesi dhe Aishja nga Pejgamberi ﷺ.
1186. Nga: Itban ibn Malik Ensariu
Mahmudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar Itban ibn Malikun, i cili kishte marrë pjesë në Luftën e Bedrit së bashku me të Dërguarin e Allahut ﷺ, duke rrëfyer: “Ua falja namazin popullit tim, beni salimëve. Në mes meje dhe tyre ishte një luginë dhe, kur binte shi (vërshonte uji), më vështirësohej rruga për në xhami.” Kështu, shkova te Pejgamberi ﷺ dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Unë e kam shikimin të dobët e, kur bie shi, uji vërshon në luginën që gjendet mes meje dhe popullit tim, kështu që e kam të vështirë ta përshkoj. Prandaj, kam dëshirë, o i Dërguari i Allahut, të vish tek unë e të falesh në shtëpinë time, që ta shfrytëzoj si vendfalje. I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Do të vij.”
Në mesditë, Pejgamberi ﷺ erdhi së bashku me Ebu Bekrin. Pejgamberi ﷺ kërkoi leje për të hyrë, andaj unë i dhashë leje. Me të hyrë në shtëpi, ende pa u ulur, pyeti: “Në cilën pjesë të shtëpisë dëshiron të falem?” I bëra me shenjë drejt një pjese të shtëpisë, ku dëshiroja të falesha. Pejgamberi ﷺ u ngrit dhe e shqiptoi tekbirin për t'u falur, ndërsa ne u rreshtuam mbrapa tij. I fali dy rekate e dha selam, ashtu vepruam edhe ne, dhamë selam pas tij. Pastaj e ndala për një ushqim me mish, gatuar enkas për të.
Burrat e lagjes dëgjuan se i Dërguari i Allahut ﷺ gjendej në shtëpinë time, andaj disa prej tyre erdhën dhe u grumbulluan në shtëpi.
Njëri prej tyre tha:
- Ku është Maliku (Ibn Duhajshini)? Nuk po e shoh.
- Ai është hipokrit, nuk e do as Allahun, as të Dërguarin e Tij, - tha një tjetër.
- “Mos fol ashtu! A nuk e dini se ai thotë: “La ilahe il-lallah”, fjalë kjo me të cilën synon kënaqësinë e Allahut?” - u tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
- Allahu dhe Pejgamberi e dinë më së miri, porse betohem në Allahun se, sa herë e shohim, shoqërohet dhe bisedon me hipokritët, - tha burri në fjalë.
- “Allahu ia ka ndaluar Zjarrit (ta djegë) atë që thotë “la ilahe il-lallah”, fjalë kjo me të cilën kërkon kënaqësinë e Allahut”, - u tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Mahmudi vazhdon: “Këtë gjë ua tregova disave, në mesin e të cilëve ishte edhe Ebu Ejubi, shoku i të Dërguarit të Allahut ﷺ, që ka vdekur në ekspeditë (në rrethimin e Stambollit). Udhëheqës e kishin Jezid ibn Muaviun. Ebu Ejubi e kontestoi atë që tregova dhe tha: “Betohem në Allahun se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk e ka thënë këtë që e thua ti!” Kjo më shqetësoi shumë, andaj u zotova në Allahun se, nëse do të kthehesha prej kësaj beteje dhe nëse do ta gjeja Itban ibn Malikun gjallë në xhaminë e popullit të tij, do ta pyesja për këtë. Kur u ktheva, udhëtova për haxh ose umre, derisa arrita në Medinë. Shkova te benu salimët, ku e takova Itbanin, i cili ishte plak dhe i verbër, duke i prirë popullit të vet në namaz. Kur e përfundoi namazin, e përshëndeta e i tregova kush isha dhe e pyeta për këtë hadith, e në atë rast ma tregoi (hadithin) sikurse herën e parë.”