Sahihu i Buhariut — Hadithi 122
44. Nënkapitulli: Parapëlqehet që, kur dijetari të pyetet se kush është njeriu më i ditur, diturinë t’ia atribuojë Allahut
122. Nga: Ubej ibn Kab Ensariu
Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amri se Seid ibn Xhubejri tregon: “I thashë Ibn Abasit: “Neuf Bikaliu po pretendon se Musai (i përmendur në tregimin e Hidrit) nuk është Musai i benu israilëve, por një Musa tjetër.”
Ai tha: “Ka gënjyer armiku i Allahut! Ubej ibn Kabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) na ka treguar se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Musai, i dërguari i Allahut, benu israilëve u mbajti një ligjëratë dhe, pasi e kreu, dikush e pyeti: “Kush është njeriu më i ditur?”
Ai tha: “Unë jam më i dituri.”
Allahu e qortoi pse nuk ia kishte atribuuar diturinë Atij dhe i shpalli se një rob Yni, në vendin ku bashkohen dy detet, është më i ditur se ti.
Musai tha: “O Zoti im, si mund të arrij tek ai?”
I tha: “Qit një peshk në ndonjë shportë dhe te vendi që e humb atë, do ta gjesh këtë njeri.”
U nis bashkë me djaloshin e tij Jusha ibn Nun, duke e bartur peshkun në shportë, derisa arritën te një shkëmb, ku u mbështetën për të fjetur. Peshku rrëshqiti nga shporta dhe e mori rrugën e tij nëpër det duke e hapur si tunel. Kjo (ndodhi) ishte e habitshme për Musain dhe djaloshin e tij. Edhe pjesën e mbetur të ditës dhe tërë natën e kaluan në rrugëtim. Mëngjesin vijues Musai ﷺ iu drejtua djaloshit: “Na e shtro ushqimin, se na lodhi udhëtimi.” Musai nuk e kishte ndier lodhjen derisa e kaloi vendin e përcaktuar, ku duhej ta takonin Hidrin.
Djaloshi i tha: “Të kujtohet shkëmbi tek i cili pushuam? Aty e kam harruar peshkun.”
Musai i tha: “Kjo na duhej.”
U kthyen mbrapa duke i përcjellë gjurmët e veta dhe, kur arritën te shkëmbi, panë një njeri të mbuluar me një rrobë, - ose ka thënë: duke u mbuluar me një rrobë -. Pasi Musai ﷺ e përshëndeti me selam, Hidri i tha: “Prej nga kjo përshëndetje me selam, në vendin tënd?!”
- Unë jam Musai, - tha Musai ﷺ.
- Musai i benu israilëve? - pyeti Hidri.
- Po, - tha Musai, pastaj vazhdoi: - A mund të të shoqëroj, që të mësoj prej diturisë dhe urtësisë sate?
- O Musa! Nuk mund të kesh durim me mua, - tha Hidri. - Unë kam dije që ma ka mësuar Allahu, e që ti nuk e ke, por edhe ti ke dituri që ta ka mësuar Allahu, e të cilën unë nuk e kam.
Musai ﷺ i tha: “Nëse do Allahu, do të jem durimtar dhe nuk do t'i kundërshtoj urdhrat e tu.”
U nisën duke ecur nëpër bregdet dhe, në rrugë e sipër, afër tyre lundroi një anije. Drejtuesve të anijes i kërkuan të hipnin në të dhe, ngaqë ata e njohën Hidrin, i pranuan të hipnin pa pagesë.
Ndërkohë, një zog zbriti në një skaj të anijes dhe u ul e piu dy-tri herë ujë deti me sqepin e tij. Hidri i tha Musait ﷺ: “O Musa! Dituria ime dhe jotja nuk ia ka pakësuar diturinë Allahut më shumë sesa e pakësoi ujin e detit sqepi i këtij zogu.”
Gjatë rrugës Hidri i mësyu një dërrase të anijes dhe e nxori nga vendi. Atëherë Musai reagoi e i tha: “Këtyre që na mbartën pa kurrfarë pagese ua shkatërrove anijen që t'i fundosësh?”
Hidri tha: “A të kam thënë se nuk do të kesh durim me mua?”
- Mos më qorto për atë që harrova, - tha Musai.
Hera e parë ishte për shkak të harresës së Musait.
Vazhduan rrugën më tutje, derisa arritën te një fëmijë, që po lozte me disa të tjerë. Hidri iu afrua fëmijës dhe me dorën e tij ia këputi kokën. Musai i tha: “More një shpirt të pafajshëm (të pastër nga gjynahet), pa asnjë arsye?
Hidri ia ktheu: “A të kam thënë ty se nuk mund të kesh durim me mua?” - Ibn Ujejne ka thënë: “(Ky qortim nga Hidri) ishte më i theksuar -.”
Sërish vazhduan rrugën dhe, kur arritën te një fshat, u kërkuan konak fshatarëve, por ata refuzuan. Aty hasën një mur, i cili veç sa nuk rrëzohej. Hidri e shtyu me dorë dhe e drejtoi. Musai iu drejtua: “Nëse do, mund t'u kërkosh pagesë për këtë shërbim.”
Hidri iu përgjigj: “Këtu duhet të ndahemi unë dhe ti.”
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu e mëshiroftë Musain! Sikur të duronte edhe më tutje, do të mësonim më shumë prej rrugëtimit të tyre.”