Sahihu i Buhariut — Hadithi 1233

8. Nënkapitulli: Ç'ndodh nëse dikush i flet atij që është duke u falur e ky e dëgjon e pastaj ia bën me dorë?

1233. Nga: Kurejbi

Jahja ibn Sulejmani na ka thënë: Më ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Amri, e ky nga Bukejri se Kurejbi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se Ibn Abasi, Misver ibn Mahremi dhe Abdurrahman ibn Ez'heri e dërguan atë tek Aishja duke i thënë: “Dërgoja selamet tona dhe pyete për dy rekatet pas namazit të ikindisë dhe tregoji se kemi dëgjuar që ti i fal ato (dy rekatet), ndërkohë ne jemi informuar se Pejgamberi ﷺ ka ndaluar këtë (namazin pas ikindisë).” Ibn Abasi tha: “Unë dhe Omer ibn Hatabi i ndëshkonim njerëzit për to.”

Kurejbi tregon: “Hyra tek Aishja dhe i tregova përse më kishin dërguar.”

- Pyete Umu Selemen, - më tha ajo.

U ktheva tek ata dhe u tregova çfarë më tha Aishja. Ata më dërguan tek Umu Seleme, siç më kishin dërguar tek Aishja.

Umu Seleme më tha: “E kam dëgjuar Pejgamberin ﷺ duke i ndaluar ato (namazet pas ikindisë). Pastaj (një ditë), pasi e fali ikindinë, i fali ato dhe hyri tek unë, ku ishin disa gra ensare të fisit benu haram. Dërgova një shërbëtore dhe i thashë: “Qëndro afër tij dhe thuaji se Umu Seleme po të pyet: “O i Dërguari i Allahut, të kam dëgjuar duke i ndaluar këto dy (rekate), ndërkohë po shoh se ti i fal ato. Nëse ta bën me shenjë, largohu.” Ashtu veproi, e ai i bëri me shenjë që të largohej pak, andaj ajo u largua. Kur e mbaroi namazin, tha: “Oj bija e Ebu Umejes, më pyete për dy rekatet pas ikindisë. Më patën ardhur disa njerëz prej fisit të Abdulkajsit e më patën penguar t'i fal dy rekatet pas drekës, andaj këto qenë ato (të pas drekës).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1233

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?