Sahihu i Buhariut — Hadithi 1234

9. Nënkapitulli: Të bërët me shenjë në namaz

Këtë e ka transmetuar Kurejbi, e ky nga Umu Seleme, e kjo nga Pejgamberi ﷺ.

1234. Nga: Sehël ibn Sad Saidiu

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Jakub ibn Abdurrahmani, e ky nga Ebu Hazimi se Sehël ibn Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ dëgjoi se në fisin e Amër ibn Aufit kishte mosmarrëveshje. Pejgamberi ﷺ shkoi me disa shokë që t'i pajtojë mes vete dhe u vonua derisa hyri koha e namazit. Kështu, Bilali shkoi tek Ebu Bekri dhe i tha: “O Ebu Bekër, koha e namazit ka hyrë, ndërkohë Pejgamberi ﷺ u vonua, a po ua fal njerëzve namazin?”

- Po, nëse dëshiron, - tha Ebu Bekri.

Bilali e thirri ikametin, e në atë rast Ebu Bekri doli para njerëzve dhe mori tekbirin. Ndërkohë, Pejgamberi ﷺ erdhi dhe kaloi nëpërmjet safave, derisa arriti në saf (të parë). Njerëzit filluan t'u binin shuplakave, por Ebu Bekri nuk shpërqendrohej nga namazi i tij. Kur e tepruan (së rëni shuplakave), ai shikoi dhe e pa Pejgamberin ﷺ. I Dërguari i Allahut ﷺ i bëri me shenjë, duke e urdhëruar që të vazhdonte namazin. Por, Ebu Bekri i ngriti duart, e falënderoi Allahun dhe u tërhoq mbrapa, derisa u rreshtua në saf, kurse i Dërguari i Allahut ﷺ kaloi përpara dhe ua fali njerëzve namazin. Pasi e kreu, u kthye nga njerëzit dhe tha: “O ju njerëz! Ç'është puna juaj që u rënkeni shuplakave kur ju shqetësuaka diçka në namaz? Rrahja e shuplakave është për gratë. E, nëse dikujt i ndodh diçka e rëndësishme në namaz, le të thotë “subhanallah”, sepse çdokush që dëgjon tek thuhet “subhanallah”, kthehet. O Ebu Bekër, çfarë të pengoi që të vazhdoje namazin pasi bëra me shenjë?”

- Nuk i takon të birit të Ebu Kuhafës t'i prijë të Dërguarit të Allahut ﷺ në namaz, - iu përgjigj ai.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1234

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?