Sahihu i Buhariut — Hadithi 1261
15. Nënkapitulli: Mënyra e mbështjelljes së femrës me qefin
Haseni ka thënë: "Me çarçafin (copën) e pestë i shtrëngon dy kofshët dhe dy ijët, nën këmishë."
1261. Nga: Umu Atija Ensarja
Ahmedi na ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Ejubi, e ky e ka dëgjuar Ibn Sirinin se Umu Atija (Allahu qoftë i kënaqur me të!), - një grua nga ensarët që ia kishte dhënë besën Pejgamberit ﷺ, e cila njëherë pati shkuar në Basra për ta takuar një djalë të saj, por, me të mbërritur atje, ai i pati vdekur, - na tregoi: “Teksa po e pastronim të bijën e Pejgamberit ﷺ, ai hyri dhe na tha: “Pastrojeni me ujë e sidër, tri, pesë ose më shumë herë, sa ta shihni të nevojshme. Ndërkaq, herën e fundit pastrojeni me kamfur. E, kur ta mbaroni, më tregoni.” Pasi e kryem, na e hodhi rrobën e tij të poshtme dhe tha: “Fillimisht mbështilleni me këtë” (Ejubi ka thënë: “Ibn Sirini) nuk shtoi asgjë më shumë. Nuk e di se për cilën prej bijave të tij ishte fjala.”
Ejubi ka thënë se me fjalën (الإِشْعَار) (ishar) është për qëllim: “Ato fillimisht e kishin mbështjellë tërësisht xhenazen me rrobën e Pejgamberit ﷺ (pastaj me pjesët e tjera të qefinit). Muhamed ibn Sirini kështu urdhëronte të veprohej me femrën, që në fillim të mbështillet tërësisht, e jo pjesë-pjesë.”