Sahihu i Buhariut — Hadithi 1274
25. Nënkapitulli: Shfrytëzimi i pasurisë së të vdekurit për qefinosje
Ky është mendimi i Ataut, Zuhriut, Amër ibn Dinarit dhe Katades. Amër ibn Dinari ka thënë: "Parfumimi bëhet prej pasurisë (së të vdekurit)." Ibrahimi ka thënë: "Së pari (pasi personi të vdesë) fillohet me qefinosjen e tij, vijohet me kthimin e borxheve, e pastaj me testamentin." Sufjani ka thënë: "Pagesa e varrmihësit dhe pastrimit është në kuadër të qefinosjes."
1274. Nga: Abdurrahman ibn Aufi
Ahmed ibn Muhamed Mekiu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Sadi, se babai i tij Ibrahimi tregon për (babanë e vet) Abdurrahman ibn Aufin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se një ditë, kur i sollën ushqim, tha: “Kur është vrarë Musab ibn Umejri, i cili ka qenë më i mirë se unë, nuk patëm gjetur me se ta qefinosnin, përveç një gune. Po ashtu, kur është vrarë Hamzai, ose një burrë tjetër, që, gjithashtu, ka qenë më i mirë se unë, nuk patëm gjetur me se ta qefinosnin, përveç një gune. Kam frikë se na janë përshpejtuar mirësitë qysh në këtë botë. Pastaj qau.”