Sahihu i Buhariut — Hadithi 128
49. Nënkapitulli: Veçimi me dituri i një grupi njerëzish kundrejt disa të tjerëve, nga frika se këta nuk do të kuptonin
Aliu ka thënë: "Foluni njerëzve për gjërat që i kuptojnë. Vallë, a mos doni të përgënjeshtrohet Allahu dhe i Dërguari i Tij?"
128. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Is'hak ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Muadh ibn Hishami, e këtij i ka treguar babai i vet, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ i tha Muadhit, i cili ishte ulur mbrapa tij mbi samar: “O Muadh ibn Xhebel!”
Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut, - tha Muadhi.
Pejgamberi ﷺ sërish tha: “O Muadh!”
Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut, - tha tri herë Muadhi.
Pejgamberi ﷺ tha: “Nuk ndodh që dikush të deklarojë sinqerisht nga zemra se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, e që Allahu atë njeri të mos ia ndalojë Zjarrit.”
Muadhi i tha: “O i Dërguari i Allahut! A t'i njoftoj njerëzit, që të gëzohen?”
“(Kur ta dëgjojnë këtë njerëzit) atëherë do t'i mbështeten vetëm asaj (e do t'i braktisnin veprat)”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Mu për këtë Muadhi e tregoi në fund të jetës së tij, nga frika se do të mëkatonte (nëse nuk do ta tregonte).”