Sahihu i Buhariut — Hadithi 1284
32. Nënkapitulli: Hadithi i Pejgamberit ﷺ në lidhje me atë që e ka traditë vajtimin: “Njeriu dënohet në varr për shkak të vajtimit të familjes së vet.”
Allahu ﷻ ka thënë: “Ruani veten dhe familjet tuaja nga Zjarri...” (Tahrim, 6) Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Secili prej jush është bari që do të merret në llogari për kopenë e vet.” E, nëse (vajtimi) nuk ka qenë traditë e të vdekurit (për të cilin të tjerët vajtojnë), atëherë çështja mbetet ashtu siç ka thënë Aishja (duke i cituar ajetet): “... askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit...” (Enam, 164), dhe: “... nëse i ngarkuari rëndë (mëkatari) thërret dikë që t’ia bartë, nuk do t’i merret asgjë nga barra...” (Fatir, 18) Lejohet të qarit që nuk përmban vajtim. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdokush që vritet padrejtësisht, të birit të parë të Ademit i shkruhet një pjesë e mëkatit”, sepse ai ka qenë i pari që e ka nisur vrasjen.
1284. Nga: Usame ibn Zejdi
Abdani dhe Muhamedi na kanë thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Asim ibn Sulejmani, e ky nga Ebu Othmani se Usame ibn Zejdi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Njëra nga bijat e Pejgamberit ﷺ (Zejnebja) i çoi të Dërguarit të Allahut ﷺ fjalë: “Eja, se evlati po më vdes.” Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “Allahut i takon ajo që ka marrë dhe Atij i takon ajo që ka dhënë. Çdo gjë tek Ai është me afat të caktuar. Le të bëjë durim dhe ta shpresojë shpërblimin.”
Ajo sërish i çoi fjalë dhe iu betua të vente. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ u nis dhe bashkë me të shkuan edhe Sad ibn Ubade, Muadh ibn Xhebeli, Ubej ibn Kabi, Zejd ibn Thabiti dhe disa të tjerë. Kur të Dërguarit të Allahut ﷺ ia afruan fëmijën, i cili gërhiste si të ishte brenda një kaceku të vyshkur, i rrodhën lotët. Sadi i tha: “O i Dërguari i Allahut, ç'është kjo?” Ai ia ktheu: “Kjo është mëshirë që Allahu e ka vendosur në zemrat e robërve të Tij. Ndër robërit e Tij Allahu i mëshiron të mëshirshmit.”