Sahihu i Buhariut — Hadithi 1288

32. Nënkapitulli: Hadithi i Pejgamberit ﷺ në lidhje me atë që e ka traditë vajtimin: “Njeriu dënohet në varr për shkak të vajtimit të familjes së vet.”

Allahu ﷻ ka thënë: “Ruani veten dhe familjet tuaja nga Zjarri...” (Tahrim, 6) Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Secili prej jush është bari që do të merret në llogari për kopenë e vet.” E, nëse (vajtimi) nuk ka qenë traditë e të vdekurit (për të cilin të tjerët vajtojnë), atëherë çështja mbetet ashtu siç ka thënë Aishja (duke i cituar ajetet): “... askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit...” (Enam, 164), dhe: “... nëse i ngarkuari rëndë (mëkatari) thërret dikë që t’ia bartë, nuk do t’i merret asgjë nga barra...” (Fatir, 18) Lejohet të qarit që nuk përmban vajtim. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdokush që vritet padrejtësisht, të birit të parë të Ademit i shkruhet një pjesë e mëkatit”, sepse ai ka qenë i pari që e ka nisur vrasjen.

1288. Nga: Abdullah ibn Abasi

Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, kur vdiq Omeri, i tregova Aishes, e në atë rast tha: “Allahu e mëshiroftë Omerin! Betohem në Allahun se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk ka thënë se Allahu e dënon besimtarin për shkak të të qarave që i bën familja e vet për të, mirëpo i Dërguari i Allahut! ka thënë: “Allahu ia shton jobesimtarit dënimin për shkak të të qarave që i bën familja e vet për të.” Dhe ju mjafton Kurani: “Askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit...” (Enam, 164)
Atëherë Ibn Abasi tha: “Allahu e bën (njeriun) për të qeshur e për të qarë.”
Ibn Ebu Mulejke ka thënë: “Betohem në Allahun se Ibn Omeri nuk ka shtuar (pas kësaj) asgjë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1288

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?