Sahihu i Buhariut — Hadithi 1289

32. Nënkapitulli: Hadithi i Pejgamberit ﷺ në lidhje me atë që e ka traditë vajtimin: “Njeriu dënohet në varr për shkak të vajtimit të familjes së vet.”

Allahu ﷻ ka thënë: “Ruani veten dhe familjet tuaja nga Zjarri...” (Tahrim, 6) Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Secili prej jush është bari që do të merret në llogari për kopenë e vet.” E, nëse (vajtimi) nuk ka qenë traditë e të vdekurit (për të cilin të tjerët vajtojnë), atëherë çështja mbetet ashtu siç ka thënë Aishja (duke i cituar ajetet): “... askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit...” (Enam, 164), dhe: “... nëse i ngarkuari rëndë (mëkatari) thërret dikë që t’ia bartë, nuk do t’i merret asgjë nga barra...” (Fatir, 18) Lejohet të qarit që nuk përmban vajtim. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Çdokush që vritet padrejtësisht, të birit të parë të Ademit i shkruhet një pjesë e mëkatit”, sepse ai ka qenë i pari që e ka nisur vrasjen.

1289. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Abdullah ibn Ebu Bekri, e ky nga babai i tij, e këtij i ka rrëfyer Amra bint Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), bashkëshortja e Pejgamberit ﷺ, ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ kaloi pranë (varrit të) një hebreje teksa familja e saj qanin për të, e në atë rast tha: “Ata po qajnë për të, ndërkohë ajo po dënohet në varr.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1289

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?