Sahihu i Buhariut — Hadithi 1322
56. Nënkapitulli: Norma e namazit të xhenazes
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush ia falë xhenazen?” Po ashtu ka thënë: “Faljani shokut tuaj namazin (e xhenazes).” Dhe ka thënë: “Faljani Nexhashiut namazin (e xhenazes).” Pra, e ka quajtur namaz. Në të nuk ka ruku, nuk ka sexhde dhe nuk fliten gjëra që nuk i përkasin namazit, por ka tekbir dhe selam. Ibn Omeri, namazin e xhenazes, e falte gjithmonë me abdes. Nuk e falte as gjatë lindjes, as gjatë perëndimit të diellit dhe i ngrinte duart e tij (gjatë tekbireve). Haseni ka thënë: Sahabët që i kam arritur i jepnin përparësi për t’ia falur namazin e xhenazes atij që i jepnin përparësi për t'u prirë në faljen e namazeve farze. E, kur ndokush e prishte abdesin ditën e Bajramit ose për namazin e xhenazes, kërkonte ujë (për abdes), e nuk merrte tejemum. Kur i gjente njerëzit duke e falur namazin e xhenazes, u bashkëngjitej duke bërë tekbirin fillestar (sikurse në namaz). Ibn Musejebi ka thënë: "Në namazin e xhenazes bëhen katër tekbire, si ditën, ashtu dhe natën, si në udhëtim, ashtu dhe në shtëpi." Enesi ka thënë: "Tekbiri i parë është çelës i namazit." Allahu i Madhëruar ka thënë: “Dhe asnjërit prej tyre, kur të vdesin, mos iu rreshto për t’ia falur namazin...” (Teube, 84) Pra, në të ka rreshta dhe imam."
1322. Nga: Abdullah ibn Abasi
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e ky nga Shejbaniu se Shabiu tregon: “Ai që ka qenë së bashku me Pejgamberin tuaj ﷺ pranë një varri të bërë anash, më ka treguar se si Pejgamberi ﷺ u priu në namaz, kurse ata u rreshtuan në safa pas tij.”
Shejbaniu thotë: “E kemi pyetur Shabiun: “O Ebu Amër, kush është ai që të ka treguar?” Shabiu ka thënë: “Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!).”