Sahihu i Buhariut — Hadithi 1349
76. Nënkapitulli: Përdorimi i idhhirit dhe sanës në varr
1349. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamed ibn Abdullah ibn Haushebi na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Halidi, e ky nga Ikrime se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu e ka shenjtëruar Mekën, andaj (lufta në të) nuk i është lejuar askujt, as para meje, as pas meje. Mua më është lejuar vetëm për një pjesë të ditës. Në të nuk lejohet as këputja e barit të njomë, as prerja e drunjve, as trembja e gjahut, si dhe marrja e gjërave të gjetura në rrugët e saj, përveç nëse ka për qëllim ta shpallë ndër njerëz.”
Atëherë Abasi tha:
- Përveç idhhirit për argjendarët dhe për varret tona?
- “Përveç idhhirit”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Ebu Hurejra transmeton nga Pejgamberi ﷺ, ku ka thënë: “Për varret dhe shtëpitë tona.”
Eban ibn Salihu transmeton nga Hasen ibn Muslimi, e ky nga Safije bint Shejbe se e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ, njëjtë. Muxhahidi e transmeton (këtë hadith) nga Tavusi, e ky nga Ibn Abasi (e ky nga Pejgamberi ﷺ, mirëpo me shprehjen:) “Për farkëtarët dhe shtëpitë e tyre.”