Sahihu i Buhariut — Hadithi 1350
77. Nënkapitulli: A lejohet zhvarrosja apo nxjerrja e të vdekurit nga varri për ndonjë arsye (të justifikueshme)?
1350. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Amri se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ shkoi te (varri i) Abdullah ibn Ubejit pasi e kishin varrosur dhe urdhëroi të zhvarrosej. E vendosi mbi gjunjët e tij, e lagu me pështymë dhe e mbështolli me këmishën e vet. Allahu e di më së miri (se cili ishte shkaku i mbështjelljes me këmishën e Pejgamberit ﷺ), por ai (Abdullah ibn Ubeji) i kishte dhënë një këmishë Abasit.
Sufjani tregon se Ebu Haruni ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ kishte dy këmisha, andaj i biri i Abdullahut i kishte thënë: “O i Dërguari i Allahut, vishja babait tim këmishën që prek lëkurën tënde.”
Sufjani thotë: “Thuhet se Pejgamberi ﷺ ia kishte veshur Abdullahut këmishën e tij, si shpagim për atë që kishte vepruar (me Abasin).”