Sahihu i Buhariut — Hadithi 1353
78. Nënkapitulli: Lahdi dhe varri i zakonshëm
1353. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Lejth ibn Sadi, e këtij i ka treguar Ibn Shihabi, e ky nga Abdurrahman ibn Kab ibn Maliku se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Të vrarët në Uhud Pejgamberi ﷺ i bënte bashkë nga dy veta (në një qefin), pastaj thoshte: “Cili prej tyre ka ditur Kuran më shumë?” Kur i tregonin për ndonjërin prej tyre, e fuste të parin në varr (lahd) dhe thoshte: “Unë jam dëshmitar i tyre Ditën e Kiametit.” Urdhëroi të varroseshin të përgjakur, përkatësisht pa i pastruar.”