Sahihu i Buhariut — Hadithi 1356
79. Nënkapitulli: A i falet xhenazja fëmijës që vdes pasi e ka pranuar Islamin, si dhe a i parashtrohet Islami fëmijës?
Haseni, Shurejhu, Ibrahimi dhe Katadja kanë thënë: "Kur ndonjëri prej prindërve bëhet musliman, fëmija shkon me prindin musliman." Ibn Abasi qëndronte me nënën e vet (muslimane) në mesin e të shtypurve (në Mekë), e nuk qëndronte me babanë e tij, i cili ishte në fenë e popullit të vet. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Islami mbizotëron e nuk mbizotërohet.”
1356. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një djalosh hebre, që i shërbente Pejgamberit ﷺ, u sëmur, andaj Pejgamberi ﷺ i shkoi në vizitë.” Iu ul te koka dhe i tha: “Bëhu musliman.” Djaloshi e shikoi babanë e vet, që ishte i pranishëm, e ai i tha: “Bindju Ebu Kasimit ﷺ.” Kështu, djaloshi e pranoi Islamin. Pejgamberi ﷺ doli duke thënë: “Falënderimi i takon Allahut, që e shpëtoi prej Zjarrit!”