Sahihu i Buhariut — Hadithi 1359

79. Nënkapitulli: A i falet xhenazja fëmijës që vdes pasi e ka pranuar Islamin, si dhe a i parashtrohet Islami fëmijës?

Haseni, Shurejhu, Ibrahimi dhe Katadja kanë thënë: "Kur ndonjëri prej prindërve bëhet musliman, fëmija shkon me prindin musliman." Ibn Abasi qëndronte me nënën e vet (muslimane) në mesin e të shtypurve (në Mekë), e nuk qëndronte me babanë e tij, i cili ishte në fenë e popullit të vet. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Islami mbizotëron e nuk mbizotërohet.”

1359. Nga: Ebu Hurejra

Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e pastër, porse prindërit e bëjnë hebre, të krishterë, ose adhurues zjarri, sikurse kafsha që e lind të voglin e saj (në mënyrë) të përkryer. I shihni ndonjë gjymtim?”

Pastaj Ebu Hurejra citoi: “Drejtohu me përkushtim në fenë e drejtë, natyrshmërinë e krijuar nga Allahu, sipas së cilës Ai i ka krijuar njerëzit. S'ka ndryshim në natyrshmërinë e Allahut. Kjo është fe e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Rum, 30)

Referenca: Sahihu i Buhariut 1359

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?