Sahihu i Buhariut — Hadithi 1361

81. Nënkapitulli: Vendosja e degës së palmës pa gjethe mbi varr

Burejde Eslemiu ka lënë amanet që të vendoseshin dy degë palme mbi varrin e tij. Ibn Omeri ka parë një çadër mbi varrin e Abdurrahmanit (të birit të Ebu Bekrit) dhe i ka thënë (shërbëtorit të Aishes): "Hiqe atë, o djalosh, sepse vetë vepra e tij bën hije." Harixhe ibn Zejdi ka thënë: "Në kohën e Othmanit, teksa ishim fëmijë, ai që, kur kërcente e kalonte varrin e Othman ibn Medhunit, konsiderohej që kërcente më së larti në mesin tonë." Othman ibn Hakimi tregon: "Harixhe më mori për dore dhe më uli te një varr." Më tregoi për xhaxhain e tij, Jezid ibn Thabitin, dhe më tha: "Kjo (ulja në varre) është e urryer për atë që kryen nevojë në to." Nafiu ka thënë: "Ibn Omeri ulej në varre."

1361. Nga: Abdullah ibn Abasi

Jahjai na ka thënë: Na ka treguar Ebu Muaviu, e ky nga Ameshi, e ky nga Muxhahidi, e ky nga Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ kaloi pranë dy varreve, të cilët po dënoheshin dhe tha: “Këta dy po dënohen, por nuk po dënohen për ndonjë mëkat të madh (sipas tyre). Njëri prej tyre nuk ruhej nga stërpikat e urinës, kurse tjetri bartte fjalë.” Pastaj mori një degë të njomë, të cilën e ndau në dysh dhe në secilin varr e nguli nga një.

Dikush e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, pse e bëre këtë?” Pejgamberi ﷺ tha: “Me shpresë që t'u lehtësohet dënimi për aq kohë sa degët nuk thahen.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1361

Hadithe të ngjashme: Shiko (6)

Fjalë të panjohura?