Sahihu i Buhariut — Hadithi 1366

84. Nënkapitulli: Ndalesa e faljes së namazit të xhenazes hipokritëve dhe e kërkimfaljes për idhujtarët

Këtë e ka transmetuar Ibn Omeri nga Pejgamberi ﷺ.

1366. Nga: Omer ibn Hatabi

Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Më ka treguar Lejthiu, e ky nga Ukajli, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu, e ky nga Ibn Abasi se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur vdiq Abdullah ibn Ubej ibn Seluli, të Dërguarin e Allahut ﷺ e thirrën për t'ia falur xhenazen. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u përgatit për namaz, shpejtova tek ai dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, a po ia fal xhenazen Ibn Ubejit, ndërkohë ai filan ditë të pati thënë kështu e ashtu...? - ia numëroja fjalët e tij. I Dërguari i Allahut ﷺ buzëqeshi dhe tha: “Zmbrapsu nga unë, o Omer!” Kur këmbëngula edhe më tej, më tha: “Më është dhënë e drejta për të zgjedhur, andaj zgjodha. Sikur ta dija që, nëse kërkoj falje më shumë se shtatëdhjetë herë, do t'i falej, do ta shtoja (kërkimin e faljes).” I Dërguari i Allahut ﷺ ia fali xhenazen dhe shkoi. Nuk kaloi shumë kohë deri në zbritjen e dy ajeteve të sures Teube: “Askujt prej hipokritëve, kur të vdesin, mos ia fal xhenazen, as mos rri afër varrit të hipokritit, sepse ata e kanë mohuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe qëndruan të pabindur deri në vdekje.” (Teube, 84)

Omeri thoshte: “Më vonë çuditesha me guximin tim të asaj dite karshi Pejgamberit ﷺ, e Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1366

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?