Sahihu i Buhariut — Hadithi 1374

86. Nënkapitulli: Transmetimet rreth dënimit në varr

Allahu i Lartësuar thotë: “Ah sikur t’i shihje keqbërësit gjatë agonisë së vdekjes, kur melekët zgjasin duart (duke thënë): “Dorëzoni shpirtrat tuaj! Sot ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues…” (Enam, 93) “… ata do t’i dënojmë dy herë, pastaj kthehen në dënimin e madh.” (Teube, 101) “... kurse ithtarët e Faraonit i goditi dënimi i keq. Ata i nënshtrohen Zjarrit mëngjes e mbrëmje, e Ditën e Kiametit (u thuhet melekëve): “Ithtarët e Faraonit futni në dënimin më të rëndë!” (Gafir, 45-46)

1374. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ajash ibn Velidi na ka thënë: Na ka treguar Abdulalai, e këtij i ka treguar Seidi, e ky nga Katadja se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur robi vendoset në varr dhe kur largohen shokët e tij (pjesëmarrësit në varrim), dëgjon trokun e mbathjeve të tyre (duke u larguar). I venë dy melekë, e ulin dhe i thonë: “Çfarë thoshe për atë njeri, Muhamedin ﷺ?” Besimtari përgjigjet: “Dëshmoj se ai është rob dhe i Dërguari i Allahut.” I thuhet: “Shikoje vendin tënd në Zjarr; Allahu ta ka zëvendësuar me një vend në Xhenet.” Kështu, i sheh të dy vendet.”

Katadja shton: “Na është treguar se të tillit i zgjerohet varri. Pastaj vazhdoi transmetimin e Enesit: “Ndërkaq, hipokritit dhe jobesimtarit i thuhet: “Çfarë thoshe për atë njeri (Muhamedin ﷺ)?” Ai përgjigjet: “Nuk di, thosha atë që thoshin njerëzit.” Atëherë i thuhet: “As e dije, as e lexoje (Kuranin).” Pastaj, me një çekan të hekurt goditet aq fort, saqë lëshon një klithmë që e dëgjon çdo gjë përreth tij, përveç njerëzve dhe xhinëve.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1374

Hadithe të ngjashme: Shiko (2)

Fjalë të panjohura?