Sahihu i Buhariut — Hadithi 1426
18. Nënkapitulli: Sadaka e plotë konsiderohet kur jepet nga njeriu që është i pasur
Ai që jep lëmoshë duke qenë nevojtar ose duke pasur familjen nevojtare, ose ka borxh, borxhi është më parësor për t'u kthyer sesa lëmosha, lirimi i robit a dhurata. Kjo (lëmoshë) nuk i pranohet, sepse atij nuk i takon të dëmtojë pasurinë e të tjerëve. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atë që njerëzve ua merr pasuritë për t'ia shkatërruar (shfrytëzuar e për të mos i kthyer), Allahu do ta shkatërrojë (duke mos e lënë të përfitojë prej tyre asgjë).” Përveç nëse është i njohur për durim e u jep përparësi të tjerëve kundrejt vetes, edhe nëse ka shumë nevojë për të, si rasti i Ebu Bekrit kur e ka dhënë tërë pasurinë e tij, si dhe rasti i ensarëve, që u kanë dhënë përparësi muhaxhirëve. Pejgamberi ﷺ ka ndaluar shpërdorimin e pasurisë, andaj askujt nuk i takon ta shpërdorojë pasuritë e të tjerëve me pretekstin e lëmoshës. Kab ibn Maliku tregon se ka thënë: "O i Dërguari i Allahut, prej pendimit tim është që të heq dorë prej pasurisë sime, (ta jap) lëmoshë për Allahun dhe të Dërguarin e Tij?" Pejgamberi ﷺ më tha: “Mbaje një pjesë të pasurisë sate, se është më mirë për ty.” Unë i thashë: "Po e mbaj pjesën që e kam në Hajber."
1426. Nga: Ebu Hurejra
Abdani na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullahu, e ky nga Junusi, e ky nga Zuhriu, e këtij i ka rrëfyer Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Lëmosha më e mirë është ajo që jepet kur të kesh pasuri të mjaftueshme. Andaj, fillo prej atyre që i ke nën kujdestari.”