Sahihu i Buhariut — Hadithi 1429
18. Nënkapitulli: Sadaka e plotë konsiderohet kur jepet nga njeriu që është i pasur
Ai që jep lëmoshë duke qenë nevojtar ose duke pasur familjen nevojtare, ose ka borxh, borxhi është më parësor për t'u kthyer sesa lëmosha, lirimi i robit a dhurata. Kjo (lëmoshë) nuk i pranohet, sepse atij nuk i takon të dëmtojë pasurinë e të tjerëve. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Atë që njerëzve ua merr pasuritë për t'ia shkatërruar (shfrytëzuar e për të mos i kthyer), Allahu do ta shkatërrojë (duke mos e lënë të përfitojë prej tyre asgjë).” Përveç nëse është i njohur për durim e u jep përparësi të tjerëve kundrejt vetes, edhe nëse ka shumë nevojë për të, si rasti i Ebu Bekrit kur e ka dhënë tërë pasurinë e tij, si dhe rasti i ensarëve, që u kanë dhënë përparësi muhaxhirëve. Pejgamberi ﷺ ka ndaluar shpërdorimin e pasurisë, andaj askujt nuk i takon ta shpërdorojë pasuritë e të tjerëve me pretekstin e lëmoshës. Kab ibn Maliku tregon se ka thënë: "O i Dërguari i Allahut, prej pendimit tim është që të heq dorë prej pasurisë sime, (ta jap) lëmoshë për Allahun dhe të Dërguarin e Tij?" Pejgamberi ﷺ më tha: “Mbaje një pjesë të pasurisë sate, se është më mirë për ty.” Unë i thashë: "Po e mbaj pjesën që e kam në Hajber."
1429. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Numani na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky nga Nafiu, e ky nga Ibn Omeri, e ky e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ se... [t]: Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte në minber, përmendi lëmoshën, ndershmërinë dhe lypjen, e në atë rast tha: “Dora e sipërme është më e mirë se dora e poshtme, se e sipërmja jep, kurse e poshtmja lyp.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1429
Fjalë të panjohura?