Sahihu i Buhariut — Hadithi 1435

23. Nënkapitulli: Sadakaja i fshin mëkatet

1435. Nga: Hudhejfe ibn Jemani

Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Ameshi, e ky nga Ebu Vaili se Hudhejfe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Omeri pyeti:

- Cili prej jush e di hadithin e të Dërguarit të Allahut ﷺ rreth fitneve (trazirave)?

- Unë e di ashtu siç e ka thënë (Pejgamberi ﷺ), - i thashë.

- Ti me të vërtetë ke guxim (ta tregosh). Si e ka thënë? - pyeti Omeri.

- “Fitnet e njeriut në familjen, fëmijët dhe fqinjët e tij shlyhen nga namazi i tij, lëmosha dhe vepra e mirë”, - thashë.

Sulejmani (Ameshi) tregon (se Ebu Vaili nganjëherë, kur e transmetonte këtë hadith) thoshte: “Namazi, lëmosha, urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja.”

- Nuk është kjo që po kërkoj. E kam fjalën për fitnen, e cila do të trazohet sikurse trazohet deti, - tha Omeri.

- Nuk ke pse shqetësohesh prej saj, o prijës i besimtarëve! Mes teje dhe saj është një derë e mbyllur, - i thashë.

- A do të thyhet kjo derë, vallë, apo do të hapet? - pyeti Omeri.

- Do të thyhet.

- Atëherë, nuk paska për t'u mbyllur më, - tha Omeri.

- Ashtu është, - i thashë.

Ebu Vaili thotë: “Nuk patëm guxim ta pyesnim (Hudhejfën) kush ishte dera, andaj e porositëm Mesrukun që ta pyeste, e ai tha: “Ajo derë ishte vetë Omeri.”

- Po Omeri, e dinte, vallë, se kush ishte ajo derë?

- Po, ashtu siç e dinte se të sotmen e pason e nesërmja. Ngaqë unë i tregova një hadith të qartë, në të cilin nuk ka pikë dyshimi, - u përgjigj Hudhejfe.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1435

Hadithe të ngjashme: Shiko (5)

Fjalë të panjohura?