Sahihu i Buhariut — Hadithi 1454

38. Nënkapitulli: Zekati i deleve

1454. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamed ibn Abdullah ibn Muthena Ensariu na ka thënë: Më ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Thumame ibn Abdullah ibn Enesi se Enesi tregon se, kur Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) e dërgoi atë në Bahrejn, i shkroi këtë letër: “Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit. Ky është zekati që i Dërguari i Allahut ﷺ ua ka obliguar muslimanëve, ashtu siç e ka urdhëruar Allahu të Dërguarin e Tij. Atij muslimani që i kërkohet sipas kësaj rregulloreje, le ta japë, kurse atij që i kërkohet më tepër, të mos e japë: “Në njëzet e katër deve e më pak (zekati) jepet në dele: në çdo pesë deve jepet nga një dele. Kur të arrijnë njëzet e pesë deri tridhjetë e pesë, jepet një deve femër njëvjeçare. Kur të arrijnë tridhjetë e gjashtë deri dyzet e pesë, jepet një deve femër dyvjeçare. Kur të arrijnë dyzet e gjashtë deri gjashtëdhjetë, jepet një deve trevjeçare, e gatshme për mbarsim. Kur të arrijnë gjashtëdhjetë e një deri shtatëdhjetë e pesë, jepet një deve katërvjeçare. Kur të arrijnë shtatëdhjetë e gjashtë deri nëntëdhjetë, jepen dy deve dyvjeçare. Kur të arrijnë nëntëdhjetë e një deri njëqind e njëzet, jepen dy deve trevjeçare, të gatshme për mbarsim. Nëse janë më shumë se njëqind e njëzet, në çdo dyzet deve jepet një deve dyvjeçare, e në çdo pesëdhjetë jepet një deve trevjeçare. Për atë që i ka vetëm katër deve, nuk ka zekat, përveç nëse pronari dëshiron të japë (vullnetarisht). E, kur të arrijnë pesë deve, jepet një dele.

Sa i përket zekatit të deleve që kullosin (më shumë se gjysmën e vitit), kur janë dyzet deri në njëqind e njëzet, jepet një dele. Kur të jenë më shumë se njëqind e njëzet deri në dyqind, jepen dy dele. Kur të jenë më shumë se dyqind deri në treqind, jepen tri. Nëse janë mbi treqind, në çdo njëqind jepet një dele. Për ato që kullosin dhe janë një më pak se dyzet, nuk ka zekat, përveç nëse pronari dëshiron të japë (vullnetarisht).

Në argjend (dyqind dërhemë) jepet çereku i dhjetëshit. Nëse janë vetëm njëqind e nëntëdhjetë, nuk ka zekat, përveç nëse pronari dëshiron të japë (vullnetarisht).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1454

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?