Sahihu i Buhariut — Hadithi 1462
44. Nënkapitulli: Zekati që u jepet të afërmve
Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai ka dy shpërblime: shpërblimin e farefisnisë dhe lëmoshës.”
1462. Nga: Ebu Seid Hudriu
Ibn Ebu Merjemi na ka thënë: Na ka rrëfyer Muhamed ibn Xhaferi, e këtij i ka rrëfyer Zejdi, e ky nga Ijad ibn Abdullahu se Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ doli në namazgjah për namazin e Bajramit të Kurbanit ose Fitrit dhe, pasi u fal, u kthye, i këshilloi njerëzit dhe i urdhëroi për lëmoshë, duke thënë: “O njerëz, jepni lëmoshë!” Pastaj kaloi pranë grave e u tha: “O ju gra! Jepni lëmoshë, sepse (natën që jam ngritur në qiell) kam parë se ju jeni banoret më të shumta të Zjarrit.”
Ato e pyetën: “Për çfarë arsye, o i Dërguari i Allahut?”
Pejgamberi ﷺ u tha: “Mallkoni shpesh dhe e përbuzni mirësinë (e bashkëshortit ose të dikujt të tillë). Nuk kam parë të mangëta në mendje dhe fe e që ia turbullojnë mendjen burrit të matur më shumë se ju, o gra.” Pastaj shkoi. Kur arriti në shtëpinë e tij, vajti Zejnebja, gruaja e Ibn Mesudit, e cila kërkoi leje për të hyrë. I thanë:
- O i Dërguari i Allahut, Zejnebja.
- “Cila Zejnebe?” - pyeti ai.
- Gruaja e Ibn Mesudit, - i thanë.
- “Po, lejojeni!” - tha ai.
E lejuan (që të hyjë).
- O i Dërguari i Allahut, sot urdhërove për lëmoshë, e unë kam një stoli timen që dëshiroj ta jap lëmoshë. Mirëpo, Ibn Mesudi po pretendon se ai dhe fëmijët e tij janë më meritorët për lëmoshën time.
- “Ibn Mesudi e ka thënë të vërtetën. Burri dhe fëmijët e tu janë më meritorët për lëmoshën tënde”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.