Sahihu i Buhariut — Hadithi 1466

48. Nënkapitulli: Sadakaja që u jepet bashkëshortit dhe jetimëve në shtëpi

Këtë e transmeton Ebu Seidi nga Pejgamberi ﷺ.

1466. Nga: Zejnebi, gruaja e Abdullahut

Omer ibn Hafsi na ka thënë: Na ka treguar babai im, e këtij i ka treguar Ameshi, e këtij i ka treguar Shekiku, e ky nga Amër ibn Harithi, e ky nga Zejnebja, gruaja e Abdullahut; (Ameshi ka thënë) Këtë hadith ia përmenda Ibrahimit dhe më tregoi se Amër ibn Harithi ka transmetuar se Zejnebja, gruaja e Abdullahut (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), ka thënë: “Kam qenë në xhami dhe kam parë Pejgamberin ﷺ duke thënë: “Jepni lëmoshë, qoftë dhe prej stolive tuaja.” Zejnebja jepte për Abdullahun dhe për disa jetimë, për të cilët përkujdesej, andaj i tha Abdullahut:

- Pyete të Dërguarin e Allahut ﷺ: “A më pranohet lëmosha që e jap për ty dhe për jetimët që i kam nën përkujdesje?”

- Pyete ti të Dërguarin e Allahut ﷺ, - më tha.

Vajta te Pejgamberi ﷺ dhe aty hasa një grua ensare, e cila e kishte të njëjtin hall. Bilali kaloi pranë nesh, e në atë rast i thamë: “Pyete Pejgamberin ﷺ a më pranohet dhënia për burrin dhe për jetimët që i kam nën përkujdesje, por mos i trego cilat jemi.” Ai hyri dhe e pyeti.”

- “Cilat janë ato?” - pyeti Pejgamberi ﷺ.

- Zejnebja, - iu përgjigj Bilali.

- “Cila Zejnebe?” - pyeti.

- Gruaja e Abdullahut (Ibn Mesudit), - iu përgjigj.

- “Po, ajo i fiton dy shpërblime: shpërblimin e (kujdesit ndaj) farefisnisë dhe lëmoshës”, - tha Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1466

Fjalë të panjohura?