Sahihu i Buhariut — Hadithi 1468

49. Nënkapitulli: Ajeti: “... si dhe për lirimin e robërve, borxhlinjve dhe në rrugën e Allahut.”

Transmetohet se Ibn Abasi ka thënë: "Me para të zekatit liron robin dhe jep për haxh." Haseni ka thënë: "I lejohet nëse me zekat e liron babanë nga robëria, jep për luftëtarët dhe për atë që nuk e ka kryer haxhin, pastaj citoi: “Lëmosha e zekatit është vetëm për të varfrit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për ata të cilëve u duhet fituar zemra (në Islam), për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për (luftëtarët në) rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” (Teube, 60) Për cilëdo (kategori prej kategorive të përfituesve të zekatit) të japësh (mjafton dhe) e ke kryer obligimin. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Sa i përket Halidit, ai ka lënë vakëf parzmoret e veta në rrugën e Allahut." Ebu Lasi ka treguar: "Pejgamberi ﷺ për në haxh na ka transportuar me devetë e zekatit."

1468. Nga: Ebu Hurejra

Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e këtij i ka treguar Ebu Zinadi, e ky nga Arexhi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka urdhëruar të jepet lëmosha.” Kështu, dikush i tha: “Ibn Xhemili, Halid ibn Velidi dhe Abas ibn Abdulmatalibi nuk e kanë dhënë”, e në atë rast Pejgamberi ﷺ tha: “Ibn Xhemili po e urren një gjë të tillë vetëm për shkak se, pasi ka qenë i varfër, Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ e kanë pasuruar (porse kjo nuk e arsyeton mosdhënien). Sa i përket Halidit, po i bëni padrejtësi Halidit, se ai ka lënë parzmoret dhe pajisjet luftarake vakëf në rrugën e Allahut. Ndërkaq, Abas ibn Abdulmutalibi është xhaxhai i të Dërguarit të Allahut, e ajo është sadaka për të (të cilën do ta japë) bile edhe njëfish më shumë.”

Transmetimin e Arexhit e ka fuqizuar Ibn Ebu Zinadi nga babai i tij. Ibn Is'haku e ka transmetuar nga Ebu Zinadi me shprehjen: “... e ajo është obligim për të dhe njëfish më shumë.” Ibn Xhurejxhi ka thënë: “Më është treguar nga Arexhi me shprehjen e njëjtë.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1468

Fjalë të panjohura?