Sahihu i Buhariut — Hadithi 1499
66. Nënkapitulli: Për thesaret e gjetura në tokë jepet një e pesta
Maliku dhe Ibn Idrisi kanë thënë: "Thesari i gjetur në tokë konsiderohet ai thesar (që është futur në tokë) gjatë periudhës së injorancës. Për të jepet një e pesta, qoftë pak apo shumë, ndërsa metalet nuk konsiderohen thesar. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Për (personin i cili humb jetën nga puna në minierë) nuk ka shpagim, ndërsa për thesarin e periudhës së injorancës jepet një e pesta.” Omer ibn Abdulazizi për mineralet që nxirreshin nga toka merrte në çdo dyqind pesë (2.5%). Haseni ka thënë: "Në thesarin e gjetur në tokën e luftës jepet një e pesta, e, nëse është në tokën e paqes (Islamit), jepet zekati. Nëse ke gjetur gjë të humbur në tokën e armikut, lajmëroje atë, e, nëse është e armikut, jepet një e pesta." Disa njerëz kanë thënë: "Metalet (mineralet) janë thesare sikurse të fshehurat në tokë në kohën e injorancës (paraislame), sepse (në gjuhën arabe thuhet): “أَرْكَزَ الْمَعْدِنُ” (erkezel madinu): "(Për dikë që has në metale dhe minerale) dhe kur nga ajo (gërmimi i shkëmbit metalor) del diçka (prej pasurisë). Përgjigjja ndaj këtij (pretendimi) është: (Në gjuhën arabe) përdoret (poashtu) shprehja: (أَرْكَزْتَ) (erkezte) për atë njeri që i dhurohet diçka, apo për atë që ka përfituar të ardhura të mëdha, apo për atë që iu kanë shumëfishuar frytet. (Megjithatë, me konsensus të dijetarëve nuk jepet zekat një e pesta për këto pasuri). Pastaj, (ai që pohon se një e pesta jepet edhe për metalet, sepse ato konsiderohen thesare) është kontradiktor, ngase ka thënë: (megjithatë, për këtë që ka hasur në minerale) nuk ka gjë të keqe, që atë (pasuri) ta fshehë, duke mos (ia treguar tagrambledhësit të zekatit), (dhe, në këtë mënyrë i lejohet) të mos e japë një të pestën."
1499. Nga: Ebu Hurejra
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Seid ibn Musejebi dhe Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Për atë që e mbyt kafsha, nuk ka shpagim (gjaku), as për atë që vdes duke hapur bunarin, as për atë që vdes duke punuar në minierë. Për thesarin e lashtë jepet një e pesta.”