Hadithet e ngjashme me hadithin 1015

Hadithet shfaqen vetëm disa kapitujve, deri pas botimit.

1021. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamed ibn Ebu Bekri na ka thënë: Na ka treguar Muëtemiri, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ po ligjëronte ditën e xhuma, njerëzit ngrenë zërin dhe thirrën:

- O i Dërguari i Allahut! Na ka goditur thatësira, janë tharë pemët e ngordhën bagëtitë, andaj lute Allahun të na lëshojë shi!

Pejgamberi ﷺ tha dy herë: “O Allah, na ço shi!”

Betohem në Allahun se në qiell nuk kishte asnjë re, por (papritmas) u formua një re dhe filloi të binte shi. Pejgamberi ﷺ zbriti nga minberi, e fali namazin dhe doli nga xhamia, ndërkohë shiu binte pandërprerë. Kështu vazhdoi deri në xhumanë tjetër dhe, kur Pejgamberi ﷺ u ngrit për të ligjëruar, njerëzit e ngritën zërin dhe thirrën:

- U shkatërruan shtëpitë dhe jemi bllokuar, andaj lute Allahun të na e ndalë shiun!

Pejgamberi ﷺ buzëqeshi (ngriti duart) dhe tha: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo mbi ne!”

Shiu u largua nga Medina dhe filloi të binte përreth saj, ndërsa në Medinë nuk binte asnjë pikë. Kur e shikoje Medinën, të dukej si kurorë (e rrethuar nga shiu).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1021

Fjalë të panjohura?

1016. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Sherik ibn Abdullahu se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një burrë erdhi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “U shkatërruan bagëtitë dhe rrugët u djerruan. Pejgamberi ﷺ bëri dua, e në atë rast ra shi për një javë. Pastaj (xhumanë tjetër) erdhi dhe tha: “Do të na shkatërrohen shtëpitë, jemi ngujuar e do na ngordhin kafshët! Lute Allahun ta ndalë shiun!

Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “O Allah, çoje nëpër kodra e kodrina, nëpër ara e lugina.”

Retë u tërhoqën prej Medinës, ashtu siç zhvishet rroba (prej trupit).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1016

Fjalë të panjohura?

1014. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Ismail ibn Xhaferi, e ky nga Sheriku se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa Pejgamberi ﷺ po ligjëronte ditën e premte, hyri një burrë në xhami nëpërmjet derës që ndodhej nga shtëpia e Kadasë dhe, duke qenë në këmbë, iu drejtua Pejgamberit ﷺ:

- O i Dërguari i Allahut! Janë shkatërruar pasuritë dhe rrugët janë djerruar, andaj lute Allahun të na çojë shi!

Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, na ço shi! O Allah, na ço shi! O Allah, na ço shi!”

Enesi tha: “Betohem në Allahun se në qiell nuk shihnim asnjë re të imët e as pupëlore, ndërkohë mes nesh dhe kodrës Selë nuk kishte asnjë shtëpi (që të na e pengonte shikimin). Sakaq, një re, në formë mburoje, u paraqit mbrapa saj (kodrës). Me të arritur në mes të qiellit, u shpërnda dhe filloi të bjerë shi. Betohem në Allahun se nuk patëm parë diell për një javë të tërë.

Pastaj (xhumanë tjetër), teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke ligjëruar, nga e njëjta derë hyri një burrë dhe tha:

- O i Dërguari i Allahut! Janë shkatërruar pasuritë dhe jemi ngujuar, andaj lute Allahun të na e ndalë shiun!

Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo mbi ne! O Allah, çoje nëpër kodra e kodrina, nëpër ara e lugina!”

Shiu u ndal dhe, kur dolëm, dielli rrezonte.

Sheriku thotë: “E pyeta Enes ibn Malikun:

- (Ky i dyti) a ishte i njëjti njeri?

- Nuk e di, - tha Enesi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1014

Fjalë të panjohura?

1029. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ejub ibn Sulejmani ka thënë: Më ka treguar Ebu Bekër ibn Ebu Uvejsi, e ky nga Sulejman ibn Bilali, e këtij i ka thënë Jahja ibn Seidi se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një beduin erdhi te Pejgamberi ﷺ ditën e premte dhe i tha:

- O i Dërguari i Allahut! Bagëtitë veç sa s'kanë ngordhur, familjet janë të uritura e mbaruan njerëzit.

I Dërguari i Allahut ﷺ i ngriti duart për t'u lutur. Edhe njerëzit, së bashku me Pejgamberin ﷺ, i ngritën duart për t'u lutur. Akoma pa dalë prej xhamisë, zuri të binte shi, i cili vazhdoi deri në xhumanë e ardhshme.

Sërish, personi i njëjtë erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe tha:

- O i Dërguari i Allahut! Njerëzit nuk po mund të udhëtojnë dhe rrugët janë bllokuar.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1029

Fjalë të panjohura?

1019. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Sherik ibn Abdullah ibn Ebu Nemiri se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha:

- U shkatërruan bagëtitë dhe rrugët u djerruan, andaj lute Allahun (që të na çojë shi)!

Pejgamberi ﷺ e luti Allahun, e në atë rast ra shi prej së premtes deri në të premten tjetër. Pastaj (xhumanë tjetër), erdhi dhe tha:

- O i Dërguari i Allahut, shtëpitë u shkatërruan, jemi ngujuar dhe ngordhi bagëtia (lute Allahun që ta ndalë shiun)!

Atëherë, Pejgamberi ﷺ tha: “O Allah, çoje nëpër kodra e kodrina, nëpër ara e lugina!”

Retë u tërhoqën prej Medinës, ashtu siç zhvishet rroba (prej trupit).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1019

Fjalë të panjohura?

932. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Abdulazizi, e ky nga Enesi. [t]: Junusi na ka thënë: Na ka treguar Thabiti se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke mbajtur hutben ditën e xhuma, u ngrit një burrë e i tha: “O i Dërguari i Allahut, na u shkatërruan të mbjellat dhe bagëtitë! Lute Allahun të na çojë shi! Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe u lut.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 932

Fjalë të panjohura?

1017. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ismaili na ka thënë: Më ka treguar Maliku, e ky nga Sherik ibn Abdullah ibn Ebu Nemiri se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Një burrë erdhi te i Dërguari i Allahut ﷺ dhe tha:

- O i Dërguari i Allahut, u shkatërruan bagëtitë dhe rrugët u djerruan, andaj lute Allahun të na çojë shi!

I Dërguari i Allahut ﷺ bëri dua, e në atë rast ra shi për një javë. Pastaj (xhumanë tjetër) një njeri erdhi dhe tha:

- Shtëpitë u shkatërruan, rrugët janë bllokuar dhe ngordhi bagëtia! Lute Allahun ta ndalë shiun!

Atëherë, i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “O Allah, çoje nëpër majat e kodrave e nëpër kodrina, nëpër ara e lugina!”

Retë u tërhoqën prej Medinës, ashtu siç zhvishet rroba (prej trupit).”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1017

Fjalë të panjohura?

1018. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Hasen ibn Bishri na ka thënë: Na ka treguar Muafa ibn Imrani, e ky nga Evzaiu, e ky nga Is'hak ibn Abdullahu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë iu ankua Pejgamberit ﷺ se po u shkatërroheshin pasuritë dhe familjet po vuanin. Atëherë, Pejgamberi ﷺ e luti Allahun për të çuar shi.

(Is'hak ibn Abdullahu thotë se Enesi, në hadithin e tij) nuk ka përmendur se Pejgamberi ﷺ e ka veshur ridanë mbrapsht ose se është drejtuar nga kibla.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1018

Fjalë të panjohura?

933. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Velidi, e këtij i ka treguar Ebu Amri, e këtij i ka treguar Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talhai se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ, njerëzit i goditi një thatësirë. Një ditë, teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke ligjëruar ditën e premte, një beduin u ngrit e i tha: “O i Dërguari i Allahut, na janë shkatërruar pasuritë e na janë uritur familjet! Andaj, lute Allahun për ne!”

Ai i ngriti duart (dhe u lut). Në qiell nuk kishte asnjë re. Betohem në Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, se, Pejgamberi ﷺ, akoma pa i ulur duart mirë, retë u mblodhën sikurse të ishin kodra. Ende pa zbritur nga minberi, shiu shkonte rrëke nëpër mjekrën e tij ﷺ. Atë ditë, ra shi pandërprerë, pastaj vazhdoi edhe të nesërmen, të pasnesërmen e deri në xhumanë vijuese. I njëjti beduin, - ose ka thënë: dikush tjetër, - u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, na u shkatërruan shtëpitë e na u fundos pasuria! Andaj, lute Allahun për ne!”

Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo mbi ne!” Dhe, sa herë që bënte me dorë drejt një grumbulli resh, largoheshin tutje. Medina (qielli i saj) u bë sikur një vrimë e madhe, ndërsa lugina Kanat rrodhi ujë një muaj rresht. Çdokush që vinte, fliste për shiun me bollëk.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 933

Fjalë të panjohura?

1013. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamedi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ebu Damre Enes ibn Ijadi, e këtij i ka treguar Sherik ibn Abdullah ibn Ebu Nemiri se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, teksa Pejgamberi ﷺ po ligjëronte ditën e premte, një burrë hyri në xhami nëpërmjet derës që është përballë minberit dhe, duke qenë në këmbë, iu drejtua Pejgamberit ﷺ:

- O i Dërguari i Allahut! Janë shkatërruar bagëtitë dhe rrugët janë djerruar, andaj lute Allahun të na çojë shi!

Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, na ço shi! O Allah, na ço shi! O Allah, na ço shi!”

Betohem në Allahun se në qiell nuk shihnim asnjë re të imët e as pupëlore, ndërkohë mes nesh dhe kodrës Selë nuk kishte asnjë shtëpi (që të na e pengonte shikimin). Sakaq, një re, në formë mburoje, u paraqit mbrapa kodrës. Me të arritur në mes të qiellit, u shpërnda dhe filloi të bjerë shi. Betohem në Allahun se nuk patëm parë diell për një javë të tërë.

Pastaj (xhumanë tjetër), teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke ligjëruar, hyri një burrë nga e njëjta derë dhe tha:

- O i Dërguari i Allahut! Janë shkatërruar pasuritë dhe jemi ngujuar, andaj lute Allahun të na e ndalë shiun!

Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo mbi ne! O Allah, çoje nëpër kodra e kodrina, nëpër ara e lugina!”

Shiu u ndal dhe, kur dolëm, dielli rrezonte.

Sheriku thotë: “E kam pyetur Enesin:

- (Ky i dyti) a ishte i njëjti njeri?

- Nuk e di, - tha Enesi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1013

Fjalë të panjohura?

1033. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Muhamed ibn Mukatili na ka thënë: Na ka rrëfyer Abdullah ibn Mubareku, e këtij i ka rrëfyer Evzaiu, e këtij i ka treguar Is'hak ibn Abdullah ibn Ebu Talha Ensariu se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ, njerëzit i goditi një thatësirë. Një ditë, teksa Pejgamberi ﷺ ishte duke ligjëruar ditën e premte, një beduin u ngrit dhe i tha:

- O i Dërguari i Allahut! Janë shkatërruar pasuritë dhe janë uritur familjet, andaj lute Allahun të na çojë shi!

Pejgamberi ﷺ i ngriti duart (dhe u lut). Edhe pse në fillim në qiell nuk kishte asnjë re, (pas duasë) retë u tubuan sikurse vargmalet. Dhe, akoma pa zbritur Pejgamberi ﷺ nga minberi, shiu shkonte rrëke nëpër mjekrën e tij ﷺ.

Atë ditë, ra shi në vazhdimësi, po ashtu edhe të nesërmen, të pasnesërmen dhe pas saj, deri në xhumanë vijuese. I njëjti beduin, ose dikush tjetër, u ngrit dhe tha:

- O i Dërguari i Allahut! Na janë shkatërruar shtëpitë dhe po fundoset pasuria, andaj lute Allahun për ne!

Pejgamberi ﷺ i ngriti duart dhe tha: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo mbi ne!” Dhe, sa herë që bënte me dorë drejt një pjese të reve, shpërndaheshin tutje, saqë Medina (qielli i saj) u bë si një vrimë e madhe, ndërsa lugina Kanat rrodhi një muaj rresht. Çdokush që vinte, fliste për shiun me bollëk.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1033

Fjalë të panjohura?

1015. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Avane, e ky nga Katadja se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa Pejgamberi ﷺ po ligjëronte ditën e premte, erdhi një burrë dhe i tha:

- O i Dërguari i Allahut! Po mban thatësirë e madhe, andaj lute Allahun të na çojë shi!

Pejgamberi ﷺ bëri dua, e në atë rast filloi të bjerë shi, saqë mezi arritëm nëpër shtëpitë tona.

Shiu vazhdoi deri në xhumanë e ardhshme. Atëherë, i njëjti person (ose dikush tjetër) u ngrit dhe tha:

- O i Dërguari i Allahut! Lute Allahun të na e largojë!

Pejgamberi ﷺ u lut: “O Allah, çoje rreth nesh, e jo mbi ne!”

Shihja se si retë shpërndaheshin në të djathtë e në të majtë duke lëshuar shi, porse në Medinë nuk kishte reshje.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1015

Fjalë të panjohura?