Sahihu i Buhariut — Hadithi 1539
18. Nënkapitulli: Parfumimi e krehja me rastin e ihramit dhe veshja që përdoret për ihram
Ibn Abasi ka thënë: "Atij që është me ihram, i lejohet t’i marrë erë borzilokut, të shikohet në pasqyrë (t’i rregullojë flokët ose rrobat) dhe të mjekohet me gjëra që hahen si vaji dhe gjalpi (pra me gjëra që nuk kanë aromë)." Atai ka thënë: "I lejohet të mbajë unazë dhe rrip. Ndodhte që, Ibn Omeri të bënte tavaf duke qenë me ihram me një rrobë të lidhur në bel. Aishja nuk e shihte si problematike nëse i vishnin brekët ata që e ngarkonin kabinën e devesë së saj."
1539. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Të Dërguarin e Allahut ﷺ e parfumoja para se të hynte në ihram dhe pasi lirohej prej ihramit para se ta bënte tavafin e haxhit.”