25. Haxhi
1. Nënkapitulli: Obligueshmëria dhe vlera e haxhit
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Obligim prej Allahut për njerëzit është kryerja e haxhit në Qabe për atë që i mundësohet udhëtimi deri atje, ndërsa kush kundërshton, dijeni që Allahu nuk ka nevojë për asgjë.” (Ali Imran, 97)
1513. Nga: Abdullah ibn Abasi
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Sulejman ibn Jesari se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Bashkë me të Dërguarin e Allahut ﷺ (në kafshën e udhëtimit) ishte edhe Fadli, kur një pjesëtare e fisit hatham vajti tek ata. Fadli dhe gruaja filluan të shikojnë njëri-tjetrin, ndërsa Pejgamberi ﷺ Fadlit ia ktheu kokën në anën tjetër. Gruaja e pyeti:
- O i Dërguari i Allahut! Kur Allahu ua bëri obligim haxhin robërve, babai im ishte i shtyrë në moshë, saqë nuk mundte të qëndronte mbi deve kalërimi. A mund ta kryej unë haxhin për të?
- “Po”, - i tha Pejgamberi ﷺ.
Kjo ka ndodhur në haxhin lamtumirës.”
2. Nënkapitulli: Ajeti: “Të vijnë këmbësorë dhe kalorës me deve të rraskapitura prej rrugëve të largëta, që të prezantojnë për dobitë e tyre.”
Fjala: "﴾فِجَاجًا﴿ (fixhaxhen) (Nuh, 20) e ka kuptimin: "Rrugë të gjera."
1514. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ahmed ibn Isai na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e këtij i ka treguar Salim ibn Abdullahu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke hipur mbi devenë e tij në Dhul Hulejfe dhe, pasi kafsha ngrihej në këmbë, ai hynte në ihram.”
1515. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ibrahimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Velidi, e këtij i ka treguar Evzaiu, e ky e ka dëgjuar Atain se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ hynte në ihram në Dhul Hulejfe, pasi deveja e tij ngrihej në këmbë.
Këtë e transmetojnë Enesi dhe Ibn Abasi (nga Pejgamberi ﷺ).
Referenca: Sahihu i Buhariut 1515
Fjalë të panjohura?
3. Nënkapitulli: Kryerja e haxhit mbi deve të shaluar
1516. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebani ka thënë: Na ka treguar Malik ibn Dinari, e ky nga Kasim ibn Muhamedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ia dërgoi vëllanë e saj, Abdurrahmanin, për ta shoqëruar në kryerjen e umrës prej Tenëimit. E hipi atë mbi samar të vogël (të devesë) dhe ai u ul përpara, kurse ajo pas.
Omeri ka thënë: “Shtrëngoni mirë samarët e kafshëve kur vini në haxh, sepse ai (haxhi) konsiderohet njëri prej dy xhihadeve.”
1517. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Muhamed ibn Ebu Bekri na ka thënë: Na ka treguar Jezid ibn Zureji, e këtij i ka treguar Azre ibn Thabiti se Thumame ibn Abdullah ibn Enesi tregon se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) shkoi në haxh i hipur mbi një deve të thjeshtë, por jo nga koprracia. Ai tregonte se i Dërguari i Allahut ﷺ e bëri haxhin i hipur mbi një deve të cilën e përdorte edhe për bartje (të gjësendeve të veta).
Referenca: Sahihu i Buhariut 1517
Fjalë të panjohura?
1518. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Amër ibn Aliu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Asimi, e këtij i ka treguar Ejmen ibn Nabili, e këtij i ka treguar Kasim ibn Muhamedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i ka thënë Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! Ju e bëtë umrën, kurse unë jo.” Atëherë Pejgamberi ﷺ tha: “O Abdurrahman! Merre motrën tënde dhe shoqëroje për ta kryer umrën prej Tenëimit.” Ai e hipi mbrapa mbi samar të devesë dhe ajo e kreu umrën.”
4. Nënkapitulli: Vlera e haxhit të pranuar
1519. Nga: Ebu Hurejra
Abdulaziz ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Ibrahim ibn Sadi, e ky nga Zuhriu, e ky nga Seid ibn Musejebi se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Dikush e pyeti Pejgamberin ﷺ:
- Cila është vepra më e mirë?
- “Besimi në Allahun dhe të Dërguarin e Tij”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
- Pastaj cila? - e pyetën sërish.
- “Xhihadi në rrugën e Allahut.”
- Pastaj cila?
- “Haxhi i pranuar.”
1520. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdurrahman ibn Mubareku na ka thënë: Na ka treguar Halidi, e këtij i ka rrëfyer Habib ibn Ebu Amre, e ky nga Aishe bint Talhai se Aishja, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon se e ka pyetur Pejgamberin ﷺ:
- O i Dërguari i Allahut! Besojmë se xhihadi është vepra më e mirë. A të marrim pjesë edhe ne në xhihad?
- “Jo. Xhihadi më i mirë për ju është haxhi i pranuar”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ.
1521. Nga: Ebu Hurejra
Ademi na ka thënë: Na ka treguar Shuëbe, e këtij i ka treguar Sejar Ebu Hakemi, e ky e ka dëgjuar Ebu Hazimin se Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që e kryen haxhin për hir të Allahut, duke u larguar nga marrëdhëniet intime dhe mëkatet, kthehet sikurse ditën që e ka lindur nëna.”
5. Nënkapitulli: Obligueshmëria e respektimit të mikatit për nisjen e haxhit ose umrës
1522. Nga: Abdullah ibn Omeri
Malik ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Zuhejri se Zejd ibn Xhubejri tregon se shkoi te vendi ku qëndronte Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili kishte një tendë të mbuluar me një pëlhurë pambuku dhe e pyeti:
- Prej ku më lejohet ta kryej umrën?
- I Dërguari i Allahut ﷺ i ka përcaktuar Karnin për banorët e Nexhdit, Dhul Hulejfën për banorët e Medinës dhe Xhuhfën për banorët e Shamit.
6. Nënkapitulli: Ajeti: “... dhe furnizohuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë, e furnizimi më i mirë (për ahiret) është devotshmëria .”
1523. Nga: Abdullah ibn Abasi
Jahja ibn Bishri na ka thënë: Na ka treguar Shebabi, e ky nga Verkai, e ky nga Amër ibn Dinari, e ky nga Ikrime se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) ka thënë: “Banorët e Jemenit venin në haxh pa u përgatitur me rezerva ushqimore dhe thoshin: “Ne po i mbështetemi Allahut. Kështu, kur erdhën në Medinë, filluan të lypin prej njerëzve, e në atë rast Allahu e zbriti ajetin: “Dhe furnizohuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë, e furnizimi më i mirë (për Ditën e Kiametit) është devotshmëria.” (Bekare, 197)
Ibn Ujejne e transmeton këtë hadith nga Amri, e ky nga Ikrime, (e ky nga Pejgamberi ﷺ, pa e përmendur Ibn Abasin, e ky lloj transmetimi i hadithit quhet) mursel.
Referenca: Sahihu i Buhariut 1523
Fjalë të panjohura?
7. Nënkapitulli: Vendi nga ku banorët e Mekës hyjnë në ihram për haxh dhe umër
1524. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ banorëve të Medinës ua ka caktuar Dhul Hulejfën për mikat, banorëve të Shamit Xhuhfën, banorëve të Nexhdit Karnul Menazilin dhe banorëve të Jemenit Jelemlemin. Këto mikate janë për banorët e këtyre krahinave (të përmendura) dhe për të tjerët që nuk janë banorë të tyre, por që kalojnë nëpër to kur venë në haxh dhe umre. Ndërkaq, banorët e vendbanimeve që jetojnë në mes këtyre (mikateve dhe Mekës) mikat e kanë vendndodhjen e tyre. Madje, edhe banorët e Mekës nisen prej Mekës.”
8. Nënkapitulli: Vendi (mikati) nga ku banorët e Medinës hyjnë në ihram dhe se nuk duhet të hyjnë në ihram para Dhul Hulejfes
1525. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Banorët e Medinës hyjnë në ihram prej Dhul Hulejfes, banorët e Shamit prej Xhuhfës dhe banorët e Nexhdit prej Karnit.”
Dikush më ka treguar se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Dhe banorët e Jemenit hyjnë në ihram prej Jelemlemit.”
9. Nënkapitulli: Vendi nga ku banorët e Shamit hyjnë në ihram
1526. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Amër ibn Dinari, e ky nga Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ua ka caktuar banorëve të Medinës Dhul Hulejfën për mikat, banorëve të Shamit Xhuhfën, banorëve të Nexhdit Karnul Menazilin dhe banorëve të Jemenit Jelemlemin. Këto mikate janë për banorët e këtyre vendeve (të përmendura) dhe për të tjerët që nuk janë banorë të tyre, por që kalojnë nëpër to kur venë në haxh dhe umre. Ndërkaq, ata që jetojnë në mes këtyre (mikateve dhe Mekës) mikat e kanë vendndodhjen e tyre, e kështu me radhë, saqë edhe banorët e Mekës nisen prej saj.”
10. Nënkapitulli: Vendi nga ku banorët e Nexhdit hyjnë në ihram
1527. Nga: Abdullah ibn Omeri
Aliu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky e ka mbajtur në mend nga Zuhriu, e ky nga Salimi, se babai i tij Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka caktuar (për mikat):
1528. Nga: Abdullah ibn Omeri
[t]: Ahmedi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Salim ibn Abdullahu, se babai i tij Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: “Vendi nga ku banorët e Medinës hyjnë në ihram është Dhul Hulejfja, për banorët e Shamit është Mehjeja, - që ndryshe quhet Xhuhfe, - dhe për banorët e Nexhdit është Karni.”
Disa po thonë se Pejgamberi ﷺ ka thënë edhe: “Vendi nga ku banorët e Jemenit hyjnë në ihram është Jelemlemi”, por unë nuk e kam dëgjuar këtë.
11. Nënkapitulli: Vendi nga ku hyjnë në ihram banorët që jetojnë mes mikatit dhe Mekës?
1529. Nga: Abdullah ibn Abasi
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Hamadi, e ky nga Amri, e ky nga Tavusi se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ua ka caktuar banorëve të Medinës Dhul Hulejfën për mikat, banorëve të Shamit Xhuhfën, banorëve të Jemenit Jelemlemin dhe banorëve të Nexhdit Karnin. Këto mikate janë për banorët e këtyre vendeve (të përmendura) dhe për të tjerët që nuk janë banorë të tyre, por që kalojnë nëpër to kur venë në haxh dhe umre. Ndërkaq, banorët e vendbanimeve që jetojnë në mes këtyre (mikateve dhe Mekës) mikat e kanë vendndodhjen e tyre. Madje, edhe banorët e Mekës hynë në ihram prej Mekës.
12. Nënkapitulli: Vendi nga ku banorët e Jemenit hyjnë në ihram për haxh ose umre
1530. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muala ibn Esedi na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e ky nga Abdullah ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ ua ka caktuar banorëve të Medinës Dhul Hulejfën për mikat, banorëve të Shamit Xhuhfën, banorëve të Nexhdit Karnul Menazilin dhe banorëve të Jemenit Jelemlemin. Këto mikate janë për banorët e këtyre vendeve (të përmendura) dhe për të tjerët që nuk janë banorë të tyre, por që kalojnë nëpër to kur venë në haxh dhe umre. Ndërkaq, ai që është banor i vendbanimeve që ndodhen mes këtyre (mikateve dhe Mekës), mikat e ka vendndodhjen e vet. Madje, edhe banorët e Mekës hyjnë në ihram prej Mekës.
13. Nënkapitulli: Dhatu Irku është vendi nga ku banorët e Irakut hynë në ihram për haxh dhe umër
1531. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ali ibn Muslimi më ka thënë: Na ka treguar Abdullah ibn Numejri, e këtij i ka treguar Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur u çliruan këto dy qytete (Kufa dhe Basra, banorët e tyre) erdhën tek Omeri dhe i thanë: “O prijësi i besimtarëve! I Dërguari i Allahut ﷺ ua ka caktuar banorëve të Nexhdit Karnin (për mikat), i cili konsiderohet devijim nga drejtimi i rrugës sonë (të njohur, për në Mekë), kurse ne po e kemi të vështirë për të shkuar nga Karni.” Omeri u tha: “Shikoni cilin vend e keni më afër rrugës suaj.” Kështu, ua caktoi Dhatu Irkun (për mikat).”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1531
Fjalë të panjohura?
14. Nënkapitull
1532. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ është ndalur (me devenë e tij) në Bat'ha të Dhul Hulejfes, ku dhe është falur.
Nafiu tregon se kështu vepronte edhe Abdullah ibn Omeri.
15. Nënkapitulli: Vajtja e Pejgamberit ﷺ në Mekë nëpërmjet Rrugës së Pemës ('Tariku Shexherah', e cila ndodhej tek xhamia e Dhul Hulejfes)
1533. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Enes ibn Ijadi, e ky nga Ubejdullahu, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ dilte (prej Medinës për në Mekë) nga Rruga e Pemës (Tariku Shexherah), e, kur kthehej, hynte nga Rruga e Vendpushimit (Tarikul Muarres). Kur shkonte për në Mekë, falej në Xhaminë e Pemës, e, kur kthehej, falej në Dhul Hulejfe, në mes të luginës, ku pushonte deri në mëngjes.
16. Nënkapitulli: Hadithi i Pejgamberit ﷺ: “Lugina Akik është vend i bekuar.”
1534. Nga: Omer ibn Hatabi
Humejdiu na ka thënë: Na ka treguar Velidi dhe Bishr ibn Bekër Tinisiu, e këtyre u ka treguar Evzaiu, e këtij i ka treguar Jahjai, e këtij i ka treguar Ikrime, e ky e ka dëgjuar Ibn Abasin se Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se e ka dëgjuar Pejgamberin ﷺ, - në luginën e Akikut, - duke thënë: “Sonte më erdhi një lajmëtar prej Zotit dhe më tha: “Falu në këtë luginë të bekuar pastaj thuaj: “Umre së bashku me haxh[1].”
1535. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Ebu Bekri na ka thënë: Na ka treguar Fudajl ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe, e këtij i ka treguar Salim ibn Abdullahu se babai i tij Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se, Pejgamberi ﷺ, teksa ishte në vendin Muarres, që ndodhet në mes të luginës së Dhul Hulejfes ka parë në ëndërr se i është thënë: “Tani ndodhesh në Bat'hanë e bekuar.”
(Musa ibn Ukbe ka thënë): “Salimi ndalej për të pushuar aty ku ndalej Abdullahu, duke synuar vendpushimin (vendin Muarres) e të Dërguarit të Allahut ﷺ, që gjendej poshtë xhamisë, në mes të luginës, diku mes vendpushimit dhe rrugës.”
17. Nënkapitulli: Larja e parfumit nga rrobat e ihramit tri herë
1536. Nga: Jala ibn Umeje
Ebu Asimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Atai, e këtij i ka rrëfyer Safvan ibn Jala se Jalai i tha Omerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Më trego si i zbret shpallja Pejgamberit ﷺ.” Teksa Pejgamberi ﷺ ishte në Xhiëranë së bashku me disa shokë të tij, vajti një burrë dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë thua për një person që ka hyrë në ihram për umre, i zhytur në parfum?” Pejgamberi ﷺ heshti një moment sepse po i zbriste shpallja. Omeri e thirri Jalain, i cili, kur vajti, të Dërguarin e Allahut ﷺ e gjeti tek i bëhej hije me një rrobë. Kështu, futi kokën nën rrobë dhe pa se të Dërguarit të Allahut ﷺ i ishte skuqur fytyra dhe po gërhiste. Pasi u qetësua dalëngadalë, tha: “Ku është ai që pyeti rreth umrës?” Kur e sollën, Pejgamberi ﷺ i tha: “Pastroje parfumin nga trupi tri herë, zhvishe xhyben dhe vepro gjatë umrës ato që i vepron gjatë haxhit.”
Ibn Xhurejxhi thotë: “E pyeta Atain: “Kur e ka urdhëruar për ta larë (rrobën) tri herë, a e ka pasur për qëllim që ta pastrojë sa më shumë?” Ai tha: “Po.”
18. Nënkapitulli: Parfumimi e krehja me rastin e ihramit dhe veshja që përdoret për ihram
Ibn Abasi ka thënë: "Atij që është me ihram, i lejohet t’i marrë erë borzilokut, të shikohet në pasqyrë (t’i rregullojë flokët ose rrobat) dhe të mjekohet me gjëra që hahen si vaji dhe gjalpi (pra me gjëra që nuk kanë aromë)." Atai ka thënë: "I lejohet të mbajë unazë dhe rrip. Ndodhte që, Ibn Omeri të bënte tavaf duke qenë me ihram me një rrobë të lidhur në bel. Aishja nuk e shihte si problematike nëse i vishnin brekët ata që e ngarkonin kabinën e devesë së saj."
1537. Nga: Abdullah ibn Omeri
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Mensuri se Seid ibn Xhubejri tregon se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) lyhej me vaj (pa aromë). (Mensuri ka thënë:) “Kur ia përmenda këtë Ibrahim Nehaiut, më tha: “S'ke çfarë t'i bësh, është mendimi i tij!”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1537
Fjalë të panjohura?
1538. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Më ka treguar Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ende më duket sikur po e shoh shkëlqimin e parfumit në flokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ duke qenë në ihram.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1538
Fjalë të panjohura?
1539. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Abdurrahman ibn Kasimi, e ky nga babai i tij se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Të Dërguarin e Allahut ﷺ e parfumoja para se të hynte në ihram dhe pasi lirohej prej ihramit para se ta bënte tavafin e haxhit.”
19. Nënkapitulli: Hyrja në ihram me flokë të lyer (me lëndë e cila formon shtresë, që të mos shprishen)
1540. Nga: Abdullah ibn Omeri
Esbegu na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Vehbiu, e ky nga Junusi, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Salimi se babai i tij Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kam dëgjuar se i Dërguari i Allahut ﷺ ka hyrë në ihram me flokë të bërë me lyrë.”
20. Nënkapitulli: Fillimi i ritualit të haxhit ose umrës nga xhamia e Dhul Hulejfes
1541. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ali ibn Abdullahu na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe, e ky e ka dëgjuar Salim ibn Abdullahun, e ky e ka dëgjuar Ibn Omerin. [t]: Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Musa ibn Ukbe, e ky nga Salim ibn Abdullahu se babai i tij Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ nuk ka hyrë në ihram përveçse nga vendi ku ndodhet xhamia”, - aludonte në Xhaminë e Dhul Hulejfes.
Referenca: Sahihu i Buhariut 1541
Fjalë të panjohura?
21. Nënkapitulli: Çfarë rrobash nuk duhet të veshë personi që hyn në ihram?
1542. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një burrë e pyeti Pejgamberin ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë duhet të veshë muhrimi?” I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Nuk i lejohet të veshë këmishë, as çallmë, as shallvare, as pardesy, as meste, përveç nëse dikush nuk posedon sandale, atëherë le t'i mbathë mestet, por le t'i shkurtojë paksa, që të jenë nën nyja, si dhe as rrobë të parfumuar me shafran ose vers.”
22. Nënkapitulli: Kryerja e haxhit hipur sipër kafshës, vetëm dhe vetë i dyti
1543. Nga: Abdullah ibn Abasi
1543, 1544 - Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Vehb ibn Xheriri, e këtij i ka treguar babai i tij, e ky nga Junus Ejliu, e ky nga Zuhriu, e ky nga Ubejdullah ibn Abdullahu se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Usama ishte i ulur mbrapa Pejgamberit ﷺ në të njëjtën kafshë, prej Arafatit deri në Muzdelife. Pastaj, prej Muzdelifes deri në Mina hipi Fadli. Të dy tregonin se Pejgamberi ﷺ në vazhdimësi bënte telbijen, derisa i gjuajti gurët në Xhemrën e Akabesë.
Referenca: Sahihu i Buhariut 1543
Fjalë të panjohura?
1544. Nga: Abdullah ibn Abasi
1543, 1544
23. Nënkapitulli: Rrobat, ridaja dhe izari që i vesh muhrimi
Aishja vishte rrobë të lyer me asfer (shafran të egër) duke qenë në ihram dhe (për femrën me ihram) thoshte: "Të mos i mbulojë buzët e fytyrën dhe të mos veshë rrobë të parfumuar me shafran e as me vers." Xhabiri ka thënë: "Asferi nuk konsiderohet parfum. Aishja mendonte se nuk kishte asgjë të keqe për gratë (që janë në ihram) që të mbanin stoli, rroba të zeza ose roze dhe meste." Ibrahimi ka thënë: "Nuk prish punë nëse i ndërron rrobat."
1545. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamed ibn Ebu Bekër Mukademi na ka thënë: Na ka treguar Fudajl ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe, e këtij i ka rrëfyer Kurejbi se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ, pasi vajosi dhe krehu flokët e mjekrën si dhe i veshi izarin dhe ridanë, u nis prej Medinës së bashku me shokët e tij. Nuk e kishte ndaluar asnjë veshje, përveç atyre të parfumuara me shafran, gjurmët e të cilit e përshkojnë lëkurën. Mëngjesi e zuri në Dhul Hulejfe. Hipi në kafshën e tij dhe, me të arritur në rrafshinën Bejda, hyri në ihram së bashku me shokët e vet dhe ia vendosi qaforen kurbanit të tij (duke e shenjuar për kurban). Atëkohë, muajit dhul kade i kishin mbetur edhe pesë ditë. Kur arriti në Mekë, kishin kaluar katër net të muajit dhul hixhe. E kreu tavafin rreth Qabesë dhe ecjen mes Safasë e Mervës, por, për shkak të kurbanit, të cilit ia kishte vendosur qaforen (dhe e kishte marrë me vete), nuk u lirua nga ihrami. Pastaj, i hyrë në ihram për haxh, vazhdoi rrugën për në pjesën e sipërme të Mekës, te Haxhuni. Pas tavafit të parë, nuk iu afrua më Qabesë, derisa u kthye prej Arafatit. Ndërkaq, sahabët i urdhëroi të bëjnë tavaf rreth Qabesë e të ecin mes Safasë e Mervës, pastaj t'i shkurtojnë flokët dhe të lirohen nga ihrami. Këto vlenin vetëm për ata që nuk e kishin marrë me vete kurbanin me qafore. Ata që kishin ardhur me bashkëshorte (dhe ishin liruar nga ihrami), i kishin të lejuara marrëdhëniet intime me to, si dhe parfumimin e veshjen e rrobave të përditshme.”
24. Nënkapitulli: Bujtja në Dhul Hulejfe
Këtë e ka transmetuar Ibn Omeri nga Pejgamberi ﷺ.
1546. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Abdullah ibn Muhamedi më ka thënë: Na ka treguar Hisham ibn Jusufi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka treguar Muhamed ibn Munkediri se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në Medinë Pejgamberi ﷺ e fali namazin katër rekate, kurse në Dhul Hulejfe dy rekate. Bujti aty, pastaj, në mëngjes, hipi në deve dhe, me t'u ngritur ajo në këmbë, hyri në ihram duke i shqiptuar fjalët përkatëse.”
1547. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Kutejbe na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ namazin e drekës e fali katër rekate në Medinë, kurse atë të ikindisë dy rekate në Dhul Hulejfe. (Ebu Kilabe ka thënë:) Mendoj se Pejgamberi ﷺ ka bujtur në Dhul Hulejfe deri në mëngjes.”
25. Nënkapitulli: Ngritja e zërit me telbije gjatë hyrjes në ihram
1548. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Sulejman ibn Harbi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në Medinë Pejgamberi ﷺ e fali namazin katër rekate, kurse në Dhul Hulejfe dy rekate. I kam dëgjuar (ata që e kishin bërë nijetin për haxhin kiran) duke ngritur zërin teksa shqiptonin fjalët përkatëse për të hyrë në ihram, për haxh dhe umre.”
26. Nënkapitulli: Telbija
1549. Nga: Abdullah ibn Omeri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Nafiu se Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se telbija e të Dërguarit të Allahut ﷺ ka qenë kësisoj: “Lebejk Allahume lebejk. Lebejke la sherike leke lebejk. Inel hamde, ve nimete, leke vel mulk, la sherike lek (Të përgjigjem, o Allah, vetëm Ty të përgjigjem. Të përgjigjem Ty, që nuk ke ortak, të përgjigjem. Vetëm Ty të takon lavdi, mirësia dhe sundimi, Ti nuk ke ortak)!”
1550. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Ameshi, e ky nga Umare, e ky nga Ebu Atije se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Unë e di fare mirë si e thoshte Pejgamberi ﷺ telbijen: “Lebejk Allahume lebejk. Lebejke la sherike leke lebejk. Inel hamde, ve nimete lek (Të përgjigjem, o Zoti im, vetëm Ty të përgjigjem. Të përgjigjem Ty, që nuk ke ortak, të përgjigjem. Vetëm Ty të takon lavdi dhe mirësia)!”
Transmetimin e Sufjanit e ka fuqizuar Ebu Muaviu nga Ameshi. Ndërkaq, Shuëbe (e transmeton zinxhirin e hadithit paraprak) duke thënë: “Na ka lajmëruar Sulejmani (Ameshi), e ky e ka dëgjuar Hajthemen, e ky nga Ebu Atije, e ky nga Aishja.”
Referenca: Sahihu i Buhariut 1550
Fjalë të panjohura?
27. Nënkapitulli: Thëniet: ‘elhamdulilah’, ‘subhanallah’ dhe ‘Allahu ekber’ para hyrjes në ihram, gjatë hipjes mbi kafshë
1551. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Ejubi, e ky nga Ebu Kilabe se Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Ishim së bashku me Pejgamberin ﷺ kur në Medinë e fali drekën katër rekate, kurse ikindinë dy rekate në Dhul Hulejfe, ku dhe bujti. Në mëngjes hipi në kafshën e vet dhe, me të arritur në rrafshinën Bejda, e lavdëroi Allahun dhe bëri tesbih e tekbir, pastaj i shqiptoi fjalët përkatëse për të filluar haxhin dhe umrën. Kështu vepruan edhe të tjerët. Kur arritëm në Mekë, urdhëroi që njerëzit të lirohen nga ihrami deri ditën e Tervijes (të tetën), kur sërish hynë në ihram për haxh. Pejgamberi ﷺ theri me dorën e vet disa kurbane deve teksa ato po qëndronin në këmbë. Ndërkaq, në Medinë, Pejgamberi ﷺ i theri dy desh laroshë.”
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Disa kanë thënë: “Ky hadith transmetohet nga Ejubi, e ky nga një njeri, e ky nga Enesi.”
28. Nënkapitulli: Hyrja në ihram (për haxh ose umre) pasi që kafsha të jetë ngritur në këmbë
1552. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Asimi na ka thënë: Na ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Salih ibn Kejsani, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ hyri në ihram pasi që kafsha e tij u ngrit në këmbë.
29. Nënkapitulli: Hyrja në ihram duke qenë i drejtuar nga kibla
1553. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ebu Mameri na ka thënë: Na ka treguar Abdulvarithi, e këtij i ka treguar Ejubi se Nafiu tregon: “Pasi Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e falte sabahun në Dhul Hulejfe, urdhëronte t'ia përgatisnin devenë e tij, së cilës i hipte dhe, kur ajo ngrihej në këmbë, drejtohej nga kibla dhe shqiptonte telbijen derisa arrinte në Mekë. Aty ndalej (së shqiptuari telbijen), derisa arrinte në Dhu Tuva, ku bunte dhe, pasi e falte sabahun, lahej. Thoshte se në këtë mënyrë ka vepruar i Dërguari i Allahut ﷺ.”
Sa i përket larjes (së Pejgamberit ﷺ në Dhu Tuva) transmetimin (e Abdulvarithit) e ka fuqizuar Ismaili nga Ejubi.
1554. Nga: Abdullah ibn Omeri
Sulejman ibn Davud Ebu Rabiu na ka thënë: Na ka treguar Fulejhu se Nafiu tregon se, kur Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dëshironte të shkonte në Mekë, i lyente flokët me vaj pa aromë, shkonte në xhaminë e Dhul Hulejfes dhe falej. Pastaj hipte në kafshën e tij dhe, me t'u ngritur ajo në këmbë, hynte në ihram. Më pas thoshte: “Kështu e kam parë Pejgamberin ﷺ duke vepruar.”
30. Nënkapitulli: Këndimi i telbijes përgjatë zbritjes poshtë në luginë
1555. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Më ka treguar Ibn Ebu Adiu, e ky nga Ibn Avniu se Muxhahidi tregon: “Ishim në një ndejë të Ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe u përmend se Pejgamberi ﷺ në lidhje me Dexhallin ka thënë: “Mes dy syve ka të shkruar kafir (jobesimtar)”, e në atë rast Ibn Abasi tha: “Këtë nuk e kam dëgjuar, por di se ka thënë: “Sa i përket Musait, sikur po e shoh tek lëshohet nëpër luginë duke bërë telbijen.”
31. Nënkapitulli: Si hyn në ihram femra me menstruacione dhe lehona?
Fjala: “Ehele” e ka kuptimin: "Dikush ka shfaqur dhe shqiptuar diçka. Fjalët: 'istehlelna' dhe ehlelnal hilale' (e kërkuam dukjen e Hënës së re), të gjitha këto shprehje e kanë kuptimin e shfaqjes dhe dukjes. Shprehja: “Istehelel metaru” e ka kuptimin: shiu doli nga retë. Ajeti: ﴾وَمَا أُهِلَّ لِغَيْرِ اللَّهِ بِهِ﴿ (ve ma uhile li gajrilahi bihi) e ka kuptimin: (Gjithashtu, është e ndaluar për ju edhe) ngrënia e mishit të kafshëve që janë therur duke u ngritur zëri (gjatë therrjes së tyre) për nder të idhujve. Shprehja: 'Istihlalu sabiji' e ka kuptimin: të qarit e porsalindurit me zë.
1556. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Mesleme na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Urve ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon: “Me Pejgamberin ﷺ dolëm në haxhin e lamtumirës dhe hymë në ihram për umre. Pejgamberi ﷺ tha: “Ai që e ka marrë kurbanin me vete, le të hyjë në ihram për haxh dhe umre e të mos lirohet nga ihrami deri në fund të haxhit.” Kur arrita në Mekë isha me menstruacione, andaj nuk e bëra tavafin rreth Qabesë e nuk eca mes Safasë dhe Mervës. Iu ankova Pejgamberit ﷺ, e ai më tha: “Shprishi flokët dhe krihu. Hyr në ihram për haxh, e lëre umrën.” Ashtu veprova. Pasi e përfunduam haxhin, Pejgamberi ﷺ më dërgoi me Abdurrahman ibn Ebu Bekrin në Tenëim për ta kryer umrën, e në atë rast më tha: “Kjo është zëvendësim për umrën (e humbur).”
Ata që kishin hyrë në ihram për umre (qysh në fillim), e bënë tavafin rreth Qabesë, ecën mes Safasë e Mervës dhe u liruan nga ihrami. Pastaj, pasi u kthyen prej Minas, bënë edhe një tavaf. Ndërkaq, ata që e bashkuan haxhin me umrën, bënë vetëm një tavaf.”
32. Nënkapitulli: Ata që kanë hyrë në ihram (për haxh) në kohën e Pejgamberit ﷺ (pa specifikuar llojin e ihramit, por duke e bërë nijet ashtu) sikurse ihrami i Pejgamberit ﷺ
Këtë e ka transmetuar Ibn Omeri nga Pejgamberi ﷺ.
1557. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Mekij ibn Ibrahimi na ka treguar nga Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka thënë Atai se Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ e urdhëroi Aliun të qëndronte në ihram.
Pastaj Xhabiri e përmendi fjalën e Surakës.”
1558. Nga: Enes ibn Malik Ensariu
Hasen ibn Ali Halal Hudheliu na ka thënë: Na ka treguar Abdusamedi, e këtij i ka treguar Sulejm ibn Hajani, e ky e ka dëgjuar Mervan Asferin se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Aliu erdhi prej Jemenit, e në atë rast Pejgamberi ﷺ e pyeti:
- “Për çfarë lloj haxhi ke hyrë në ihram?”
- Për atë lloj që ka hyrë vetë Pejgamberi ﷺ, - iu përgjigj Aliu.
- “Sikur të mos e kisha marrë kurbanin me vete, tash do të lirohesha prej ihramëve”, - tha Pejgamberi ﷺ.
Muhamed ibn Bekri, në transmetimin e tij nga Ibn Xhurejxhi, ka shtuar:
- “Për çfarë lloj haxhi ke hyrë në ihram, o Ali?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Për atë lloj që ka hyrë vetë Pejgamberi ﷺ, - iu përgjigj.
- “Merr një kurban dhe rri ashtu siç je me ihramë”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.
Referenca: Sahihu i Buhariut 1558
Fjalë të panjohura?
1559. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Sufjani, e ky nga Kajs ibn Muslimi, e ky nga Tarik ibn Shihabi se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ më dërgoi në Jemen te populli im dhe, pasi u ktheva, e takova atë në Bat'ha, e në atë rast më pyeti:
- “Për çfarë lloj haxhi ke hyrë në ihram?”
- Për atë lloj që ka hyrë vetë Pejgamberi ﷺ, - iu përgjigja.
- “A ke marrë kurban me vete?” - më pyeti.
- Jo, - i thashë.
Më urdhëroi ta kryeja tavafin rreth Qabesë dhe ecjen mes Safasë e Mervës, pastaj të lirohesha prej ihramëve. Shkova te njëra prej grave të familjes sonë dhe m'i krehu flokët ose ma lau kokën. Kur erdhi Omeri (në kohën e hilafetit të tij), tha: “Nëse punojmë sipas Librit të Allahut, ai na urdhëron ta kompletojmë (haxhin).” Allahu ka thënë: “Plotësojeni haxhin dhe umrën për hir të Allahut...” (Bekare, 197) E, nëse punojmë sipas praktikës së Pejgamberit ﷺ, ai nuk është liruar prej ihramëve deri pas therjes së kurbanit.”
33. Nënkapitulli: Fjala e Allahut ﷻ: “Koha e haxhit është në muaj të caktuar; ai që e obligon veten të kryejë haxhin, nuk duhet të ketë marrëdhënie me gruan dhe as nuk duhet të bëjë grindje e sharje...” dhe ajeti tjetër: “Të pyesin ty (o Muhamed!) për Hënën, (ndryshimin e saj); thuaju: “Këto për njerëzit janë shenja të kohës dhe të haxhit!”
Ibn Omeri ka thënë: "Muajt e haxhit janë: shevali, dhul kade dhe dhjetë ditë të muajit dhul hixhe." Ibn Abasi ka thënë: "Sipas sunetit është që njeriu të hyjë në ihram vetëm në muajt e haxhit. Othmani urrente që ihrami të vishej prej Horasanit ose Kermanit."
1560. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Më ka treguar Ebu Bekër Hanefiu, e këtij i ka treguar Eflah ibn Humejdi, e ky e ka dëgjuar Kasim ibn Muhamedin se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Së bashku me Pejgamberin ﷺ u nisëm gjatë muajve dhe netëve të haxhit, në kohën dhe vendet e përcaktuara për kryerjen e haxhit. Kur arritëm në Serife, Pejgamberi ﷺ doli para shokëve të tij dhe u tha: “Ai që nuk ka marrë kurban me vete, porse dëshiron ta kryejë umrën, le ta bëjë. Ndërkaq, ai që ka kurban me vete, të mos e bëjë.” Disa shokë të Pejgamberit ﷺ kryen umrën, disa jo. Ndërkaq, Pejgamberi ﷺ dhe disa të tjerë, që ishin të fortë (fizikisht) dhe kishin marrë kurbane me vete, nuk mund të bënin umrën.
Pejgamberi ﷺ erdhi tek unë dhe më gjeti duke qarë. Më pyeti:
- “Ç'ke që qan, moj?”
- Dëgjova çfarë u the shokëve të tu, por unë nuk mund të kryej umrën, - i thashë.
- Përse, si qëndron puna? - pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Nuk mund të falem, - iu përgjigja.
- “Nuk prish punë asgjë. Ti je një prej bijave të Ademit. Allahu ka paracaktuar për ty (si femër, ardhjen e menstruacioneve) njëjtë siç ka paracaktuar për to. Bëje haxhin, me shpresë që (pastaj) Allahu të ta mundësojë edhe umrën.”
Kështu, shkuam në haxh me të. Kur shkuam në Mina, u pastrova (prej menstruacioneve). Pastaj, prej Minas shkova dhe e kreva tavafin e haxhit rreth Qabesë. U nisa së bashku me të, në turmën e fundit (ditën e trembëdhjetë), derisa arritëm në Muhasab, ku u ndalëm. Ai e thirri Abdurrahman ibn Ebu Bekrin dhe i tha: “Dil me motrën tënde prej haremit (kufijve të Mekës), që të hyjë në ihram për umre. Pasi ta kryeni umrën, ejani këtu. Unë do t'ju pres derisa të ktheheni.”
Shkuam dhe, pasi e kreva umrën e tavafin, u kthyem në pjesën e fundit të natës. Pejgamberi ﷺ pyeti:
- “A e bëtë umrën?”
- Po, - i thamë.
Më pas njerëzve u tha të përgatiten dhe u nis drejt Medinës.”
34. Nënkapitulli: Llojet e haxhit temetu, kiran dhe ifrad; ndërrimi i llojit të haxhit për atë që nuk e ka marrë kurbanin me vete
1561. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Othmani na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me Pejgamberin ﷺ dolëm për rrugë dhe, përveç haxhit, nuk patëm asnjë synim tjetër. Kur arritëm (në Mekë) dhe e bëmë tavafin, Pejgamberi ﷺ urdhëroi të lirohen prej ihramëve ata që nuk kishin marrë kurbane me vete. Të gjithë ata që nuk kishin marrë kurbane me vete u liruan prej ihramëve, në mesin e të cilëve ishin edhe gratë e tij (të cilat u liruan prej ihramëve). Mua m'u paraqitën menstruacionet, andaj nuk e bëra tavafin. Natën që shkuam në Muhasab i thashë:
- O i Dërguari i Allahut! Njerëzit po kthehen me umre dhe haxh, kurse unë po kthehem vetëm me haxh.
- “A nuk ke bërë tavaf në netët që erdhëm në Mekë?” - tha Pejgamberi ﷺ.
- Jo, - i thashë.
- “Shko me vëllanë tënd në Tenëim dhe kryej një umre, pastaj takohemi në filan vendin.”
Safija thotë: “Më duket se unë i vonoja, prandaj Pejgamberi ﷺ më tha:
- “E mjera ti! A nuk e ke bërë tavafin ditën e Bajramit të Kurbanit?”
- Po, - i thashë.
- “E po, nuk prish punë. Nisu, atëherë (për në Medinë).”
Aishja tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më takoi (në Muhasab) teksa po ngjitej në Mekë (për ta bërë tavafin lamtumirës), ndërsa unë po zbrisja (prej Tenëimit) ose, teksa unë po ngjitesha në Mekë (prej Tenëimit), ai po zbriste në të.”
1562. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Ebu Esved Muhamed ibn Abdurrahman ibn Neufeli, e ky nga Urve Ibn Zubejri se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ dolëm për rrugë vitin e Haxhit të Lamtumirës. Disa prej nesh hynë në ihram për umre, disa e bashkuan haxhin me umrën e disa të tjerë vetëm për haxh, ndërkohë i Dërguari i Allahut ﷺ hyri në ihram vetëm për haxh. Ata që hynë në ihram vetëm për haxh, ose që i bashkuan haxhin me umrën, nuk u liruan prej ihramëve deri ditën e Bajramit.”
1563. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Hakemi, e ky nga Ali ibn Husejni se Mervan ibn Hakemi tregon: “E kam arritur kohën e Othmanit dhe Aliut. Othmani ndalonte llojin (e haxhit) temetu dhe bashkimin e haxhit me umrën. Kur këtë gjë e pa Aliu, hyri në ihram për t'i bashkuar umrën dhe haxhin, e në atë rast tha: “Nuk e braktis Sunetin e Pejgamberit ﷺ për shkak të fjalës së dikujt tjetër.”
1564. Nga: Abdullah ibn Abasi
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Vuhejbi, e këtij i ka treguar Ibn Tavusi, e ky nga babai i tij se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “(Njerëzit e periudhës paraislame) kishin bindjen se umra në muajt e haxhit është mëkati më i madh në tokë, ndërsa muajin safer e numëronin për muaj të shenjtë.” Thoshin: “Pasi t'i shërohet shpina devesë (nga qëndrimi i gjatë i haxhiut sipër), të humben gjurmët (e karvanit të haxhilerëve) dhe të kalojë saferi, lejohet umra për atë që dëshiron.
Pejgamberi ﷺ me shokët e tij erdhën në mëngjesin e ditës së katërt (të dhul hixhes) të hyrë në ihram për haxh. Pejgamberi ﷺ urdhëroi ta shndërrojnë në umre (e të lirohen prej ihramëve). Kjo u erdhi rëndë sahabëve, andaj thanë: “O i Dërguari i Allahut! Si të lirohemi prej ihramëve?” Pejgamberi ﷺ u tha: “Lirim të tërësishëm.”
1565. Nga: Ebu Musa Eshariu
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Gunderi, e këtij i ka treguar Shuëbe, e ky nga Kajs ibn Muslimi, e ky nga Tarik ibn Shihabi se Ebu Musai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur vajta te Pejgamberi ﷺ, më urdhëroi të lirohem prej ihramëve.”
1566. Nga: Hafsa bint Omeri
Ismaili na ka thënë: Më ka rrëfyer Maliku. [t]: Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka treguar Maliku, e ky nga Nafiu, e ky nga Ibn Omeri se Hafsa (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e Pejgamberit ﷺ, tregon se i ka thënë Pejgamberit ﷺ: “O i Dërguari i Allahut! Ç'është kjo punë: të tjerët tanimë janë liruar prej ihramëve pas umrës, kurse ti ende nuk je liruar?”
- “Unë i kam lyer flokët dhe ia kam vendosur qaforen kurbanit, andaj nuk lirohem derisa ta ther kurbanin”, - tha ai.
1567. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ademi na ka thënë: na ka treguar Shuëbe se Ebu Xhemra, Nasër ibn Imran Dubaiu, tregon: “U nisa për haxh temetu, por disa njerëz më ndaluan. Shkova për ta pyetur Ibn Abasin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rreth kësaj, e ai më urdhëroi (për ta kryer haxhin temetu). Më pas, kam parë në ëndërr një njeri duke më thënë: “Haxh të pranuar! Umre të pranuar!”
I tregova Ibn Abasit për këtë, e në atë rast më tha:
- Kështu është Suneti i Ebu Kasimit ﷺ. Qëndro tek unë të të jap diçka prej pasurisë sime.
Shuëbe ka thënë: (I thashë Ebu Xhemres): “Përse?”
- Për ëndrrën që kam parë (t'ua rrëfeja atë të tjerëve që vinin tek Ibn Abasi), - më tha.”
1568. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Ebu Nuajmi na ka treguar se Ebu Shihabi tregon: “Ditën e pestë (të dhul hixhes) shkova në Mekë për haxh temetu. Disa banorë të Mekës më thanë: “Domethënë, haxhi yt do të konsiderohet sikurse haxhi i mekasit.” Kështu, shkova tek Atai për ta pyetur rreth kësaj.” Ai më tha: “Më ka treguar Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se e ka kryer haxhin me Pejgamberin ﷺ ditën kur kishte marrë me vete devetë (për kurban), ndërkohë disa njerëz kishin hyrë në ihram vetëm për haxh, andaj u tha: “Lirohuni prej ihramit pasi ta kryeni tavafin, ecjen mes Safasë e Mervës dhe pasi t'i shkurtoni flokët. Qëndroni ashtu, pa i veshur ihramët, deri ditën e Tervijes (të tetën), pastaj hyni në ihram për haxh. Ndërkaq, haxhin për të cilin jeni nisur (llojin ifrad) shndërrojeni në temetu.” Njerëzit i thanë: “E si ta shndërrojmë në temetu, kur fillimisht nijetin e kemi bërë vetëm për haxh (ifrad)?” Ai u tha: “Veproni siç ju thashë! Edhe unë, sikur të mos e kisha marrë kurbanin me vete, do të veproja ashtu, mirëpo për shkak të ihramit nuk më lejohet kryerja e saj, pa u therur kurbani.” Rrjedhimisht, ata vepruan ashtu (si u urdhëruan).”
Ebu Abdullahu (Buhariu) ka thënë: “Ebu Shihabi nuk ka transmetuar hadith nga Pejgamberi ﷺ, me përjashtim të këtij hadithi.”
1569. Nga: Ali ibn Ebu Talibi
Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Haxhaxh ibn Muhamed Aëvariu, e ky nga Shuëbe, e ky nga Amër ibn Murra se Seid ibn Musejebi tregon: “Aliu dhe Othmani, ndërsa ndodheshin në Usfan nuk pajtoheshin mes vete rreth çështjes së haxhit temetu.” Aliu tha: “Po mundohesh të ndalosh një punë që e ka vepruar vetë Pejgamberi ﷺ?” Kur Aliu pa se ndodhi ashtu, shkoi në haxh për t'i bërë bashkë (haxhin dhe umrën, pra, haxhin temetu).”
35. Nënkapitulli: Hyrja në ihram për haxh dhe përcaktimi i llojit të tij
1570. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Hamad ibn Zejdi, e ky nga Ejubi, e ky e ka dëgjuar Muxhahidin se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Me të Dërguarin e Allahut ﷺ shkuam në Mekë duke thënë: “Po të përgjigjemi Ty, o Allah, po të përgjigjemi me haxh!” Por, i Dërguari i Allahut ﷺ na urdhëroi ta shndërronim në umre.”
36. Nënkapitulli: Haxhi temetu në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ
1571. Nga: Imran ibn Husajni
Musa ibn Ismaili na ka thënë: Na ka treguar Hemami, e ky nga Katadja, e këtij i ka treguar Mutarrifi se Imrani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ e kryem haxhin temetu e për këtë çështje zbriti (shpallje nga) Kurani. Njeriu që ka folur për këtë çështje (e ky ishte Omeri, që e konsideronte atë të ndaluar) ka folur nga mendja e vet.”
37. Nënkapitulli: Ajeti: “Kjo është për ata që nuk janë nga Meka...”
1572. Nga: Abdullah ibn Abasi
Ebu Kamil Fudajl ibn Husejn Basriu na ka thënë: Na ka treguar Ebu Masheri, e këtij i ka treguar Othman ibn Gijathi se Ikrime tregon se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) u pyet rreth haxhit temetu, e në atë rast u përgjigj: “Në haxhin lamtumirës muhaxhirët, ensarët dhe gratë e Pejgamberit ﷺ hynë në ihram e ashtu vepruam edhe ne. Kur arritëm në Mekë, i Dërguari i Allahut ﷺ na tha: “Haxhin tuaj shndërrojeni në umre, përveç atyre që e kanë marrë kurbanin me vete.” E bëmë tavafin, ecjen mes Safasë e Mervës, pastaj shkuam me gratë tona dhe i veshëm rrobat tona të zakonshme. Pejgamberi ﷺ tha: “Ata që e kanë marrë kurbanin me vete, të mos lirohen nga ihrami pa e therur kurbanin në vendin e vet.”
Në pasditen e ditës së Tervijës (ditës së tetë) na urdhëroi të hyjmë në ihram për haxh. Pasi i përfunduam ritet nëpër vendet e shenjta (Arafat, Muzdelife etj.), e bëmë tavafin dhe ecjen mes Safasë e Mervës dhe kështu e kompletuam haxhin tonë, e në atë rast na u obligua të therim kurban, siç thotë Allahu ﷻ: “... le të therë kurban sipas mundësisë. Ndërkaq, ai që nuk ka mundësi, është i detyruar të agjërojë tri ditë në haxh dhe shtatë ditë pas kthimit nga haxhi...” (Bekare, 196) Pra, (kur të ktheheni) në vendbanimet tuaja. Mjafton të theret një dele.
Domethënë, i bashkuan dy rite në një vit: haxhin dhe umrën. Allahu e ka zbritur këtë dispozitë në Librin e Tij, gjë të cilën e ka praktikuar edhe i Dërguari i Tij ﷺ dhe ua ka lejuar njerëzve, përveç banorëve të Mekës.
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kjo është për ata që nuk janë nga Meka...” (Bekare, 196) Muajt e haxhit, të cilët i ka përmendur Allahu, janë: shevali, dhul kade dhe dhul hixhe. Atij që kryen haxhin temetu në këta muaj, i obligohet të therë një kurban ose të agjërojë.
Me fjalën الرَّفَثُ (rafeth) janë për qëllim marrëdhëniet intime. Me fjalën: الْفُسُوقُ (fusuk) janë për qëllim mëkatet. Ndërkaq, me fjalën الْجِدَالُ (xhidal) është për qëllim polemika. (Bekare, 197)
Referenca: Sahihu i Buhariut 1572
Fjalë të panjohura?
38. Nënkapitulli: Larja para hyrjes në Mekë
1573. Nga: Abdullah ibn Omeri
Jakub ibn Ibrahimi na ka thënë: Na ka treguar Ibn Uleje, e këtij i ka rrëfyer Ejubi se Nafiu tregon: “Kur Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) hynte në vendin ku fillonte haremi, e ndalte telbijen. Bunte në Dhu Tuva, ku e falte namazin e sabahut, dhe pastrohej. Thoshte se kështu ka vepruar Pejgamberi ﷺ.”
39. Nënkapitulli: Hyrja në Mekë ditën ose natën
Pejgamberi ﷺ bujti në Dhu Tuva deri në mëngjes, pastaj hyri në Mekë. Kështu vepronte edhe Ibn Omeri.
1574. Nga: Abdullah ibn Omeri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Jahjai, e ky nga Ubejdullahu se Nafiu ka thënë: “Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ bujti në Dhu Tuva. Pastaj, në mëngjes, hyri në Mekë. Kështu vepronte edhe Ibn Omeri.”
40. Nënkapitulli: Prej nga hyhet në Mekë?
1575. Nga: Abdullah ibn Omeri
Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Më ka treguar Meani, e këtij i ka treguar Maliku, e ky nga Nafiu se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ hynte në Mekë nga Kodrina e Epërme e dilte nga Kodrina e Ulët.”