Sahihu i Buhariut — Hadithi 1545
23. Nënkapitulli: Rrobat, ridaja dhe izari që i vesh muhrimi
Aishja vishte rrobë të lyer me asfer (shafran të egër) duke qenë në ihram dhe (për femrën me ihram) thoshte: "Të mos i mbulojë buzët e fytyrën dhe të mos veshë rrobë të parfumuar me shafran e as me vers." Xhabiri ka thënë: "Asferi nuk konsiderohet parfum. Aishja mendonte se nuk kishte asgjë të keqe për gratë (që janë në ihram) që të mbanin stoli, rroba të zeza ose roze dhe meste." Ibrahimi ka thënë: "Nuk prish punë nëse i ndërron rrobat."
1545. Nga: Abdullah ibn Abasi
Muhamed ibn Ebu Bekër Mukademi na ka thënë: Na ka treguar Fudajl ibn Sulejmani, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe, e këtij i ka rrëfyer Kurejbi se Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ, pasi vajosi dhe krehu flokët e mjekrën si dhe i veshi izarin dhe ridanë, u nis prej Medinës së bashku me shokët e tij. Nuk e kishte ndaluar asnjë veshje, përveç atyre të parfumuara me shafran, gjurmët e të cilit e përshkojnë lëkurën. Mëngjesi e zuri në Dhul Hulejfe. Hipi në kafshën e tij dhe, me të arritur në rrafshinën Bejda, hyri në ihram së bashku me shokët e vet dhe ia vendosi qaforen kurbanit të tij (duke e shenjuar për kurban). Atëkohë, muajit dhul kade i kishin mbetur edhe pesë ditë. Kur arriti në Mekë, kishin kaluar katër net të muajit dhul hixhe. E kreu tavafin rreth Qabesë dhe ecjen mes Safasë e Mervës, por, për shkak të kurbanit, të cilit ia kishte vendosur qaforen (dhe e kishte marrë me vete), nuk u lirua nga ihrami. Pastaj, i hyrë në ihram për haxh, vazhdoi rrugën për në pjesën e sipërme të Mekës, te Haxhuni. Pas tavafit të parë, nuk iu afrua më Qabesë, derisa u kthye prej Arafatit. Ndërkaq, sahabët i urdhëroi të bëjnë tavaf rreth Qabesë e të ecin mes Safasë e Mervës, pastaj t'i shkurtojnë flokët dhe të lirohen nga ihrami. Këto vlenin vetëm për ata që nuk e kishin marrë me vete kurbanin me qafore. Ata që kishin ardhur me bashkëshorte (dhe ishin liruar nga ihrami), i kishin të lejuara marrëdhëniet intime me to, si dhe parfumimin e veshjen e rrobave të përditshme.”