Sahihu i Buhariut — Hadithi 1558

32. Nënkapitulli: Ata që kanë hyrë në ihram (për haxh) në kohën e Pejgamberit ﷺ (pa specifikuar llojin e ihramit, por duke e bërë nijet ashtu) sikurse ihrami i Pejgamberit ﷺ

Këtë e ka transmetuar Ibn Omeri nga Pejgamberi ﷺ.

1558. Nga: Enes ibn Malik Ensariu

Hasen ibn Ali Halal Hudheliu na ka thënë: Na ka treguar Abdusamedi, e këtij i ka treguar Sulejm ibn Hajani, e ky e ka dëgjuar Mervan Asferin se Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Aliu erdhi prej Jemenit, e në atë rast Pejgamberi ﷺ e pyeti:
- “Për çfarë lloj haxhi ke hyrë në ihram?”
- Për atë lloj që ka hyrë vetë Pejgamberi ﷺ, - iu përgjigj Aliu.
- “Epo, sikur të mos e kisha marrë kurbanin me vete, do të lirohesha tani prej ihramëve”, - tha Pejgamberi ﷺ.

Muhamed ibn Bekri, në transmetimin e tij nga Ibn Xhurejxhi, ka shtuar:
- “Për çfarë lloj haxhi ke hyrë në ihram, o Ali?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ.

- Për atë lloj që ka hyrë vetë Pejgamberi ﷺ, - iu përgjigj.

- “Merr një kurban dhe rri ashtu siç je me ihramë”, - ia ktheu Pejgamberi ﷺ.

Referenca: Sahihu i Buhariut 1558

Fjalë të panjohura?