Sahihu i Buhariut — Hadithi 1560
33. Nënkapitulli: Fjala e Allahut ﷻ: “Koha e haxhit është në muaj të caktuar; ai që e obligon veten të kryejë haxhin, nuk duhet të ketë marrëdhënie me gruan dhe as nuk duhet të bëjë grindje e sharje...” dhe ajeti tjetër: “Të pyesin ty (o Muhamed!) për Hënën, (ndryshimin e saj); thuaju: “Këto për njerëzit janë shenja të kohës dhe të haxhit!”
Ibn Omeri ka thënë: "Muajt e haxhit janë: shevali, dhul kade dhe dhjetë ditë të muajit dhul hixhe." Ibn Abasi ka thënë: "Sipas sunetit është që njeriu të hyjë në ihram vetëm në muajt e haxhit. Othmani urrente që ihrami të vishej prej Horasanit ose Kermanit."
1560. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Muhamed ibn Beshari na ka thënë: Më ka treguar Ebu Bekër Hanefiu, e këtij i ka treguar Eflah ibn Humejdi, e ky e ka dëgjuar Kasim ibn Muhamedin se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Së bashku me Pejgamberin ﷺ u nisëm gjatë muajve dhe netëve të haxhit, në kohën dhe vendet e përcaktuara për kryerjen e haxhit. Kur arritëm në Serife, Pejgamberi ﷺ doli para shokëve të tij dhe u tha: “Ai që nuk ka marrë kurban me vete, porse dëshiron ta kryejë umrën, le ta bëjë. Ndërkaq, ai që ka kurban me vete, të mos e bëjë.” Disa shokë të Pejgamberit ﷺ kryen umrën, disa jo. Ndërkaq, Pejgamberi ﷺ dhe disa të tjerë, që ishin të fortë (fizikisht) dhe kishin marrë kurbane me vete, nuk mund të bënin umrën.
Pejgamberi ﷺ erdhi tek unë dhe më gjeti duke qarë. Më pyeti:
- “Ç'ke që qan, moj?”
- Dëgjova çfarë u the shokëve të tu, por unë nuk mund të kryej umrën, - i thashë.
- Përse, si qëndron puna? - pyeti Pejgamberi ﷺ.
- Nuk mund të falem, - iu përgjigja.
- “Nuk prish punë asgjë. Ti je një prej bijave të Ademit. Allahu ka paracaktuar për ty (si femër, ardhjen e menstruacioneve) njëjtë siç ka paracaktuar për to. Bëje haxhin, me shpresë që (pastaj) Allahu të ta mundësojë edhe umrën.”
Kështu, shkuam në haxh me të. Kur shkuam në Mina, u pastrova (prej menstruacioneve). Pastaj, prej Minas shkova dhe e kreva tavafin e haxhit rreth Qabesë. U nisa së bashku me të, në turmën e fundit (ditën e trembëdhjetë), derisa arritëm në Muhasab, ku u ndalëm. Ai e thirri Abdurrahman ibn Ebu Bekrin dhe i tha: “Dil me motrën tënde prej haremit (kufijve të Mekës), që të hyjë në ihram për umre. Pasi ta kryeni umrën, ejani këtu. Unë do t'ju pres derisa të ktheheni.”
Shkuam dhe, pasi e kreva umrën e tavafin, u kthyem në pjesën e fundit të natës. Pejgamberi ﷺ pyeti:
- “A e bëtë umrën?”
- Po, - i thamë.
Më pas njerëzve u tha të përgatiten dhe u nis drejt Medinës.”