Sahihu i Buhariut — Hadithi 1561

34. Nënkapitulli: Llojet e haxhit temetu, kiran dhe ifrad; ndërrimi i llojit të haxhit për atë që nuk e ka marrë kurbanin me vete

1561. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Othmani na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Mensuri, e ky nga Ibrahimi, e ky nga Esvedi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Me Pejgamberin ﷺ dolëm për rrugë dhe, përveç haxhit, nuk patëm asnjë synim tjetër. Kur arritëm (në Mekë) dhe e bëmë tavafin, Pejgamberi ﷺ urdhëroi të lirohen prej ihramëve ata që nuk kishin marrë kurbane me vete. Të gjithë ata që nuk kishin marrë kurbane me vete u liruan prej ihramëve, në mesin e të cilëve ishin edhe gratë e tij (të cilat u liruan prej ihramëve). Mua m'u paraqitën menstruacionet, andaj nuk e bëra tavafin. Natën që shkuam në Muhasab i thashë:

- O i Dërguari i Allahut! Njerëzit po kthehen me umre dhe haxh, kurse unë po kthehem vetëm me haxh.

- “A nuk ke bërë tavaf në netët që erdhëm në Mekë?” - tha Pejgamberi ﷺ.

- Jo, - i thashë.

- “Shko me vëllanë tënd në Tenëim dhe kryej një umre, pastaj takohemi në filan vendin.”

Safija thotë: “Më duket se unë i vonoja, prandaj Pejgamberi ﷺ më tha:

- “E mjera ti! A nuk e ke bërë tavafin ditën e Bajramit të Kurbanit?”

- Po, - i thashë.

- “E po, nuk prish punë. Nisu, atëherë (për në Medinë).”

Aishja tregon: “I Dërguari i Allahut ﷺ më takoi (në Muhasab) teksa po ngjitej në Mekë (për ta bërë tavafin lamtumirës), ndërsa unë po zbrisja (prej Tenëimit) ose, teksa unë po ngjitesha në Mekë (prej Tenëimit), ai po zbriste në të.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1561

Hadithe të ngjashme: Shiko (35)

Fjalë të panjohura?