Sahihu i Buhariut — Hadithi 1582

42. Nënkapitulli: Vlera e Mekës dhe ndërtimi i Qabesë

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vendkthimi dhe sigurie për njerëzit (duke thënë): “Bëjeni vendin ku qëndroi Ibrahimi si vendfalje!” Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur.” Kur Ibrahimi u lut: “Zoti im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në jetën tjetër!” - Allahu tha: “Atë që nuk beson, për pak kohë do ta bëj që të kënaqet e pastaj do ta hedh në dënimin e Zjarrit.” Eh, sa vendbanim i keq që është ai! Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabesë, u lutën: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka! O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e haxhit dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (Bekare, 125-128)

1582. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Asimi, e këtij i ka rrëfyer Ibn Xhurejxhi, e këtij i ka rrëfyer Amër ibn Dinari se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Kur u ndërtua Qabeja, Pejgamberi ﷺ dhe Abasi bartnin gurë.” Abasi i tha Pejgamberit ﷺ: “Vendose izarin në qafë (të të mos dëmtojnë gurët), kur ja, Pejgamberi ﷺ përnjëherësh ra përtokë dhe sytë iu fiksuan në drejtim të qiellit. Pasi u këndell, tha: “Ma jep izarin”, e në atë rast e lidhi fort për trupi.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1582

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?