Sahihu i Buhariut — Hadithi 1583

42. Nënkapitulli: Vlera e Mekës dhe ndërtimi i Qabesë

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vendkthimi dhe sigurie për njerëzit (duke thënë): “Bëjeni vendin ku qëndroi Ibrahimi si vendfalje!” Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur.” Kur Ibrahimi u lut: “Zoti im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në jetën tjetër!” - Allahu tha: “Atë që nuk beson, për pak kohë do ta bëj që të kënaqet e pastaj do ta hedh në dënimin e Zjarrit.” Eh, sa vendbanim i keq që është ai! Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabesë, u lutën: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka! O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e haxhit dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (Bekare, 125-128)

1583. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Abdullah ibn Mesleme na ka treguar nga Maliku, e ky nga Ibn Shihabi, e ky nga Salim ibn Abdullahu se Abdullah ibn Muhamed ibn Ebu Bekri i ka treguar Abdullah ibn Omerit se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), gruaja e të Dërguarit të Allahut ﷺ, ka thënë: “Pejgamberi ﷺ më ka thënë: “A nuk e di që, kur populli yt e kanë ndërtuar Qabenë, nuk e kanë vendosur tërësisht në themelet e Ibrahimit?

- E po, o i Dërguari i Allahut, përse nuk po e rikthen në themelet e Ibrahimit? - i thashë.

- “Sikur populli yt të mos ishin kaq afër me kohën e kufrit, do ta kisha bërë.”

Abdullah ibn Omeri thotë: “Për këtë hadith, që Aishja gjithsesi e ka dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut ﷺ, mendoj se arsyeja pse i Dërguari i Allahut ﷺ nuk i prekte dy këndet e tjera, që janë afër hixhrit, është se Qabeja nuk është rindërtuar në themelet e Ibrahimit ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1583

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?