Sahihu i Buhariut — Hadithi 1584
42. Nënkapitulli: Vlera e Mekës dhe ndërtimi i Qabesë
Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vendkthimi dhe sigurie për njerëzit (duke thënë): “Bëjeni vendin ku qëndroi Ibrahimi si vendfalje!” Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur.” Kur Ibrahimi u lut: “Zoti im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në jetën tjetër!” - Allahu tha: “Atë që nuk beson, për pak kohë do ta bëj që të kënaqet e pastaj do ta hedh në dënimin e Zjarrit.” Eh, sa vendbanim i keq që është ai! Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabesë, u lutën: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka! O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e haxhit dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (Bekare, 125-128)
1584. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Musededi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Ahvasi, e këtij i ka treguar Eshathi, e ky nga Esved ibn Jezidi se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “E kam pyetur Pejgamberin ﷺ për murin (që gjendet afër Qabesë): A është pjesë e Qabesë apo jo?” Ai më tha:
- “Po.”
- Vallë, përse nuk e kanë ngjitur me Qabenë? - e pyeta.
- “A nuk e di që populli yt nuk ka pasur pasuri të mjaftueshme (për ta ndërtuar)?”
- Po dera, vallë, përse është e ngritur?
- “Kështu e ka vendosur populli yt, që të fusin në Qabe kë të duan dhe të ndalojnë kë të duan. Sikur populli yt të mos ishin kaq afër me kohën e injorancës dhe sikur të mos kisha frikë se do ta refuzonin zemrat e tyre, murin (harkor) do ta përfshija në Qabe dhe derën do ta vendosja në nivel me tokën.”