Sahihu i Buhariut — Hadithi 1586

42. Nënkapitulli: Vlera e Mekës dhe ndërtimi i Qabesë

Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vendkthimi dhe sigurie për njerëzit (duke thënë): “Bëjeni vendin ku qëndroi Ibrahimi si vendfalje!” Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur.” Kur Ibrahimi u lut: “Zoti im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në jetën tjetër!” - Allahu tha: “Atë që nuk beson, për pak kohë do ta bëj që të kënaqet e pastaj do ta hedh në dënimin e Zjarrit.” Eh, sa vendbanim i keq që është ai! Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabesë, u lutën: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka! O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e haxhit dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti!” (Bekare, 125-128)

1586. Nga: Aishe bint Ebu Bekri

Bejan ibn Amri na ka thënë: Na ka treguar Jezidi, e këtij i ka treguar Xherir ibn Hazimi, e këtij i ka treguar Jezid ibn Rumani, e ky nga Urve se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Pejgamberi ﷺ i ka thënë: “Oj Aishe, sikur populli yt të mos ishin kaq afër me kohën e injorancës, do të urdhëroja të rrënohej Qabeja, e pastaj do ta kisha (rindërtuar duke) përfshirë brenda saj gjithë atë pjesë që nuk është përfshirë në të, do ta bëja atë në nivel me tokën dhe do t'ia hapja dy dyer: njërën në anën lindore, tjetrën në atë perëndimore. Kështu do ta riktheja në themelet e Ibrahimit ﷺ.”

Ky qe shkaku që shtyu Ibn Zubejrin ta rrënojë (Qabenë).

Jezidi thotë: “Kam qenë i pranishëm kur Ibn Zubejri e pati rrënuar dhe rindërtuar Qabenë e ia pati bashkëngjitur pjesën e shkëputur (murin afër Qabesë).” I pata parë edhe themelet e Ibrahimit: disa gurë në formë të gungave të devesë.

Xheriri thotë: “E kam pyetur Jezidin:

- Ku ishte (themeli i Ibrahimit)?

- Eja të të tregoj, - më tha.

Hymë në pjesën e murit harkor (hixhrit), ma bëri me shenjë drejt një vendi dhe më tha:

- Ja, këtu.

E mata hapësirën prej murit harkor, e në atë rast më dolën përafërsisht gjashtë kute.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1586

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?