Sahihu i Buhariut — Hadithi 1641
78. Nënkapitulli: Kryerja e tavafit me abdes
1641. Nga: Urve ibn Zubejri
Ahmed ibn Isai na ka thënë: Na ka treguar Ibn Vehbiu, e këtij i ka rrëfyer Amër ibn Harithi, e ky nga Muhamed ibn Abdurrahman ibn Neufel Kureshiu se Urve ibn Zubejri ka thënë: “Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) më ka treguar se, kur Pejgamberi ﷺ e kreu haxhin, gjëja e parë që veproi me të arritur (në Mekë) ka qenë abdesi, pastaj e bëri tavafin, por nuk e shndërroi në umre (për t'u liruar prej ihramëve). Edhe Ebu Bekri e pati kryer haxhin dhe gjëja e parë që pati vepruar pati qenë tavafi, e pastaj nuk e pati shndërruar në umre. Në të njëjtën mënyrë pati vepruar edhe Omeri. Othmani e pati kryer haxhin dhe gjëja e parë që pati vepruar ka qenë tavafi, por pastaj nuk e pati shndërruar në umre. Kështu kanë vepruar edhe Muaviu e Abdullah ibn Omeri. Më pas haxhin e pata kryer me babanë tim Zubejr ibn Avamin. Gjëja e parë që pati bërë pati qenë tavafi rreth Qabesë, por pastaj nuk e pati shndërruar në umre. Kështu i kam parë duke vepruar të gjithë muhaxhirët dhe ensarët, e nuk e shndërronin në umre. Personin e fundit që e kam parë duke vepruar kështu ka qenë Ibn Omeri, i cili nuk e ka shndërruar në umre. Ja, Ibn Omeri është në mesin e tyre. Vallë, pse nuk e pyesin atë? As (Ibn Omeri e as) ata që ishin para tij, me të arritur (në Mekë), nuk fillonin diçka tjetër para tavafit, kurse pas tij (tavafit) nuk liroheshin prej ihramëve. Kam parë se, kur nëna (Esma) dhe tezja ime (Aishja) vinin (në Mekë), nuk fillonin diçka para (vizitës së) Qabesë, e bënin tavafin e pastaj nuk liroheshin prej ihramëve.”