Sahihu i Buhariut — Hadithi 1643
79. Nënkapitulli: Obligueshmëria e Safasë dhe Mervës (ecjes nëpër to), meqë janë vende që i ka shenjtëruar Allahu
1643. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Ebu Jemani na ka thënë: Na ka rrëfyer Shuajbi, e ky nga Zuhriu se Urve tregon: “E kam pyetur Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A mund të ma tregosh komentimin e këtij ajeti: “Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e simboleve të Allahut. Prandaj, ai që viziton Qabenë për haxh ose për umre, s'ka kurrfarë gjynahu nëse ecën mes tyre...” (Bekare, 158) sepse, betohem në Allahun (se në dritën e këtij teksti unë po kuptoj) se nuk ka mëkat për atë që nuk e kryen ecjen mes Safasë dhe Mervës.” Ajo tha: “Sa keq që fole, o biri motrës sime! Sikur të ishte siç e komentove ti, atëherë (formulimi i ajetit) do të kishte qenë: (s'ka kurrfarë gjynahu nëse nuk ecën fare mes tyre), mirëpo, ky ajet ka zbritur për ensarët, të cilët, para se ta pranonin Islamin, e bënin pelegrinazhin për idhullin Menat, të cilin e adhuronin te Musheleli (vend në afërsi të Kudejdit). Andaj, i shmangeshin ecjes mes Safasë dhe Mervës nga frika mos bënin mëkat po të ecnin mes tyre. Por, pasi e pranuan Islamin, e pyetën Pejgamberin ﷺ rreth kësaj: “O i Dërguari i Allahut, ne i shmangeshim ecjes mes Safasë dhe Mervës (nga frika prej mëkatimit)!” Atëherë Allahu i Lartësuar e zbriti ajetin: “Kodrinat Safa dhe Merva janë shenja të fesë së Allahut, prandaj ai që viziton Qabenë ose bën umre, s'ka kurrfarë gjunahu nëse viziton ato (të dyja); ai që bën vepër të mirë, - me të vërtetë, Allahu është falënderues dhe i Gjithëdijshëm.” (Bekare, 158) Aishja në vijim tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ e ligjësoi (dhe e obligoi) ecjen mes tyre, kështu që nuk i takon askujt ta braktisë atë.”
(Zuhriu vazhdon:) Pas kësaj, i pata treguar Ebu Bekër ibn Abdurrahmanit, e në atë rast më pati thënë: “Nuk e kam dëgjuar asnjëherë këtë çështje. Kam dëgjuar disa dijetarë duke theksuar se, të gjithë njerëzit që e bënin pelegrinazhin për Menatin, përveç atyre që ka përmendur Aishja, e kryenin ecjen mes Safasë dhe Mervës. Por, kur Allahu i Lartësuar e përmendi në Kuran vetëm tavafin rreth Qabesë, pa i përmendur Safanë dhe Mervën, thanë: “O i Dërguari i Allahut, ne e praktikonim ecjen mes Safasë dhe Mervës, ndërkohë Allahu i Lartësuar e zbriti shpalljen vetëm për tavafin rreth Qabesë, pa e përmendur Safanë. Vallë, a mos është gjynah të praktikohet ecja mes Safasë dhe Mervës?” Atëherë Allahu e zbriti ajetin: “Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e simboleve të Allahut...” (Bekare, 158) Pra, tani po dëgjoj se ky ajet paska zbritur për të dy palët: për ata që gjatë injorancës shmangeshin nga ecja mes Safasë dhe Mervës nga frika mos bënin gjynah me këtë, si dhe për ata që e praktikonin ecjen, por që, pasi kishin hyrë në Islam, ishin në mëdyshje mos ishte gjynah ecja mes tyre, për shkak se Allahu kishte urdhëruar tavafin pa e përmendur Safanë, derisa e Allahu e përmendi (me Shpallje) edhe atë (ecjen) pas përmendjes së tavafit rreth Qabesë.”