Sahihu i Buhariut — Hadithi 1651
81. Nënkapitulli: Femra me menstruacione i kryen të gjitha ritet e haxhit, përveç tavafit. Ndërkaq, si çështja e atij i cili që e kryen sajin mes Safasë dhe Mervës pa abdes
1651. Nga: Xhabir ibn Abdullah Ensariu
Muhamed ibn Muthena na ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi. [t]: Halife më ka thënë: Na ka treguar Abdulvehabi, e këtij i ka treguar Habib Mualimi, e ky nga Atai se Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) tregon: “Pejgamberi ﷺ dhe shokët e tij hynë në ihram me nijet të haxhit. Por, përveç Pejgamberit ﷺ dhe Talhait, asnjëri nuk kishte marrë kurban me vete. Edhe Aliu, i cili erdhi prej Jemenit, kishte marrë një kurban me vete, e në atë rast tha se kishte hyrë në ihram me të njëjtin nijet sikurse Pejgamberi ﷺ. Atëherë, Pejgamberi ﷺ i urdhëroi shokët e vet për ta shndërruar në umre: ta kryejnë tavafin, t'i shkurtojnë flokët dhe të lirohen prej ihramëve, përveç atyre që me vete kishin marrë kurbane.” Ata thanë: “Të nisemi për në Mina, kur dikush prej nesh ka bërë marrëdhënie me bashkëshorten?!” Kur Pejgamberit ﷺ i arritën këto fjalë, tha: “Sikur të kthehej edhe njëherë ajo që kaloi, nuk do ta merrja kurbanin me vete. Sikur të mos e kisha kurbanin me vete, do të lirohesha (prej ihramëve).”
Ndërkohë, Aishes iu paraqitën menstruacionet, andaj i kreu të gjitha ritet, përveç tavafit rreth Qabesë. Pasi u pastrua, e kreu edhe tavafin. Ajo tha: “O i Dërguari i Allahut! Ju po ktheheni me haxh dhe umre, kurse unë vetëm me haxh. Kështu, Pejgamberi ﷺ e urdhëroi Abdurrahman ibn Ebu Bekrin për të shkuar me të në Tenëim, kështu që ajo e kreu umrën pas haxhit.”