Sahihu i Buhariut — Hadithi 1652

81. Nënkapitulli: Femra me menstruacione i kryen të gjitha ritet e haxhit, përveç tavafit. Ndërkaq, si çështja e atij i cili që e kryen sajin mes Safasë dhe Mervës pa abdes

1652. Nga: Hafsa bint Omeri

Muemel ibn Hishami na ka thënë: Na ka treguar Ismaili, e ky nga Ejubi se Hafsa (bint Sirini) tregon: “Virgjëreshat e reja (që sapo kanë hyrë në pubertet) i ndalonim të dilnin (për Bajram). Një ditë, një grua erdhi në kullën e Benu Halefit, ku transmetoi një hadith nga motra e vet, burri i së cilës kishte marrë pjesë me të Dërguarin e Allahut ﷺ në dymbëdhjetë luftëra, kurse motra ime kishte qenë së bashku me të në gjashtë syresh, tek thoshte: “I mjekonim të plagosurit dhe kujdeseshim për të sëmurët. Njëherë e pyeta të Dërguarin e Allahut ﷺ: “A prish punë që, nëse ndonjëra prej nesh, që nuk posedon mantel, të mos marrë pjesë në Bajram (gjatë faljes)?” Ai tha: “Le t'ia huazojë shoqja shoqes një mantel, që të ndiejë mirësinë dhe lutjet e besimtarëve.”

Kur erdhi Umu Atija, e cila e kishte zakon që, sa herë e përmendte Pejgamberin ﷺ, të thoshte: “Kurban i bëfsha babanë tim! - ato e pyetën, - ose ka thënë: ne e pyetëm: “A e ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë kështu?”

Ajo tha: “Po, kurban i bëfsha babanë tim!” Ai tha: “Le të dalin (për namazin e Bajramit) virgjëreshat e reja që veçoheshin në dhomat e tyre, - ose ka thënë: virgjëreshat dhe ato që veçoheshin në dhomat e tyre, - dhe ato me menstruacione, që të ndiejnë mirësinë dhe lutjet e besimtarëve. Ndërkaq, ato me menstruacione të largohen prej namazgjahut.”

Hafsa thotë: “E pyeta:

- Ato me menstruacione?!

- A nuk prezantojnë në Arafat, si dhe këtu e atje? - u përgjigj ajo.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1652

Fjalë të panjohura?