Sahihu i Buhariut — Hadithi 1708

114. Nënkapitulli: Blerja e kurbanit diku në rrugë dhe vendosja e qafores në qafë

1708. Nga: Abdullah ibn Omeri

Ibrahim ibn Mundhiri na ka thënë: Na ka treguar Ebu Damra, e këtij i ka treguar Musa ibn Ukbe se Nafiu tregon se Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) donte të shkonte në haxh vitin kur havarixhët e bënë haxhin gjatë kohës së (sundimit të) Ibn Zubejrit (në Mekë). Dikush i tha: “Do të zhvillohet luftë mes njerëzve, andaj kemi frikë se do të të ndalin (prej haxhit).” Ai iu përgjigj: “Shëmbëlltyrën më të mirë e keni në të Dërguarin e Allahut...” (Ahzab, 21) Kështu, do të veproj siç ka vepruar Pejgamberi ﷺ. Jini dëshmitarë se po ia obligoj vetes umrën.”

U nis rrugës dhe, kur arriti në majë të Bejdasë, tha: “Çështja e umrës dhe haxhit është e njëjtë. Andaj, jini dëshmitarë se unë po e bashkoj haxhin me umrën. Kështu, mori me vete një kurban me qafore që e kishte blerë. Me të arritur (në Mekë), e bëri tavafin dhe ecjen në Safa, pastaj nuk shtoi asgjë më shumë e as u lirua prej ihramëve, deri ditën e Bajramit, kur i rroi flokët dhe theri kurbanin. Me kaq konsideroi se e ka kryer tavafin (këtu është për qëllim ecja mes Safasë dhe Mervës) e haxhit dhe umrës, me tavafin (ecjen mes Safasë dhe Mervës) e bërë në fillim.” Pastaj tha: “Kështu ka vepruar Pejgamberi ﷺ.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1708

Hadithe të ngjashme: Shiko (12)

Fjalë të panjohura?