Sahihu i Buhariut — Hadithi 1709
115. Nënkapitulli: Therja e lopës kurban për gratë, pa kërkesën e tyre
1709. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Abdullah ibn Jusufi na ka thënë: Na ka rrëfyer Maliku, e ky nga Jahja ibn Seidi, e ky nga Amra bint Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Më njëzet e pesë dhul kade u nisëm për rrugë me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Përveç kryerjes së haxhit, synim tjetër nuk kishim. Kur iu afruam Mekës, i Dërguari i Allahut ﷺ, ata që nuk kishin marrë kurbane me vete, i urdhëroi që, pasi ta kryejnë tavafin dhe ecjen mes Safasë e Mervës, të lirohen prej ihramëve.”
Aishja thotë: “Ditën e Bajramit të Kurbanit, na sollën mish lope.” Unë pyeta: “Ç'është kjo?” Na u tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka therur kurban për gratë e veta.”
Jahjai ka thënë: “(Këtë hadith më pas) ia përmenda Kasimit dhe m'u përgjigj: “(Aishja) ta ka transmetuar hadithin në mënyrë të plotë ashtu siç është në të vërtetë.”