Sahihu i Buhariut — Hadithi 1733
129. Nënkapitulli: Vizita e Qabesë në ditët e Bajramit të Kurbanit
Ebu Zubejri transmeton nga Aishja dhe Ibn Abasi, të cilët tregojnë se Pejgamberi ﷺ e ka vonuar tavafin e haxhit deri në mbrëmje. Transmetohet nga Ebu Hasani se Ibn Abasi tregon se Pejgamberi ﷺ e vizitonte Qabenë gjatë ditëve të qëndrimit në Mina.
1733. Nga: Aishe bint Ebu Bekri
Jahja ibn Bukejri na ka thënë: Na ka treguar Lejthiu, e ky nga Xhafer ibn Rebia, e ky nga Arexhi, e këtij i ka treguar Ebu Seleme ibn Abdurrahmani se Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Shkuam në haxh me Pejgamberin ﷺ. Ditën e Bajramit, pasi e kryem tavafin e haxhit, Safijës i erdhën menstruacionet. Pejgamberi ﷺ deshi t'i afrohej, ashtu siç i afrohet burri gruas, por unë i thashë se ajo është me menstruacione.
- “Do të na pengojë (nga udhëtimi për në Medinë deri sa ta kryejë tavafin e haxhit)?” - tha Pejgamberi ﷺ.
- E ka kryer tavafin e haxhit ditën e Bajramit, - i thanë.
- “Nisuni!” - tha ai.”
Transmetohet nga Kasimi, Urve dhe Esvedi se Aishja ka thënë: “Safija e ka bërë tavafin e haxhit ditën e Bajramit.”