Sahihu i Buhariut — Hadithi 1741

132. Nënkapitulli: Ligjërimi gjatë ditëve të qëndrimit në Mina

1741. Nga: Ebu Bekrete

Abdullah ibn Muhamedi na ka thënë: Na ka treguar Ebu Amiri, e këtij i ka treguar Kurra, e ky nga Muhamed ibn Sirini, e këtij i ka rrëfyer Abdurrahmani, i biri i Ebu Bekretes, nga Ebu Bekrete dhe (më ka lajmëruar po ashtu) një burrë tjetër, i cili tek unë ka pozitë më të lartë se Abdurrahmani: Humejd ibn Abdurrahmani, se Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ na ligjëroi ditën e Bajramit të Kurbanit, e në atë rast na tha:

- “Vallë, e dini çfarë dite është sot?”

- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - thanë të pranishmit.

Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha:

- “A nuk është dita e Bajramit të Kurbanit?”

- Po, ashtu është.

- “Cili muaj është ky?”

- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.

Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha:

- “A nuk është muaji dhul hixhe?”

- Po, ashtu është.

- “Cili qytet është ky?”

- Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Pastaj heshti, saqë menduam se do ta emërtojë me ndonjë emër tjetër, por tha:

- “A nuk është qyteti i shenjtë?”

- Po, ashtu është.

- “Dijeni mirë se: gjaku, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjtë sikurse shenjtëria e kësaj dite, në këtë muaj, në këtë vend, derisa ta takoni Zotin tuaj. A e kumtova, vallë?”

- Po, - iu përgjigjën.

- “O Allah, ji Dëshmitar! Të pranishmit le t'ua përcjellin atyre që mungojnë, sepse atij që do t'i kumtohet, ndoshta e kupton më mirë se këta që po e dëgjojnë. Mos u ktheni në kufër pas meje (pas vdekjes sime) duke vrarë njëri-tjetrin.”

Referenca: Sahihu i Buhariut 1741

Hadithe të ngjashme: Shiko (8)

Fjalë të panjohura?