Sahihu i Buhariut — Hadithi 178

34. Nënkapitulli: Ai që mendon se abdesi prishet vetëm atëherë kur del diçka nga dy vrimat, organit gjenital dhe anusit

Allahu ﷻ thotë: “... ose ndonjëri prej jush vjen prej vendit të nevojës...” (Maide, 6) Atai thotë se ai të cilit i del krimbi nga zorra e trashë ose ndonjë insekt nga kanali urinar obligohet të ripërtrijë abdesin. Xhabir ibn Abdullahu ka thënë: "Kur dikush qesh në namaz, duhet ta përsërisë vetëm namazin, e jo abdesin." Haseni ka thënë: "Atij që i shkurton flokët ose thonjtë, ose i zhvesh mestet, nuk i obligohet abdesi." Ebu Hurejra ka thënë: "Abdesi duhet marrë vetëm nëse lirohet ndonjë gaz. Përmendet nga Xhabiri se Pejgamberi ﷺ ishte pjesëmarrës në Betejën Dhatu Rika, ku një person ishte plagosur me shigjetë, ndërkohë gjaku i rridhte (duke qenë në namaz), pastaj ra në ruku e në sexhde dhe e vazhdoi namazin." Haseni ka thënë: "Muslimanët faleshin edhe kur kishin plagë nëpër trup." Tavusi, Muhamed ibn Aliu, Atai dhe dijetarët e Hixhazit kanë thënë: "Nuk merret abdes për shkak të gjakut. Ibn Omeri shtrydhi një puçërr, prej së cilës i doli gjak, por nuk e ripërtriu abdesin. Ibn Ebu Eufai pështyu gjak dhe e vazhdoi namazin më tutje." Ibn Omeri dhe Haseni, për atë që bën hixhame, kanë thënë: "Nuk i obligohet asgjë tjetër përveçse ta lajë vendin e hixhames."

178. Nga: Ali ibn Ebu Talibi

Kutejbe ibn Seidi na ka thënë: Na ka treguar Xheriri, e ky nga Ameshi, e ky nga Mundhir Ebu Jala Theuriu, e ky nga Muhamed ibn Hanefije se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Shpesh më rridhte lëngu paraspermal, por, nga turpi, nuk mund ta pyesja të Dërguarin e Allahut ﷺ, andaj e porosita Mikdad ibn Esvedin ta pyesë Pejgamberin ﷺ për këtë. Ai ﷺ iu përgjigj: Mjafton vetëm abdesi.”

E transmeton (po ashtu) Shuëbe nga Ameshi.

Referenca: Sahihu i Buhariut 178

Hadithe të ngjashme: Shiko (3)

Fjalë të panjohura?